Prokuroria e Dibrës regjistron “184”, në shtator hidhet shorti për prokurorin
Prokuroria e Dibrës regjistron dosjen “184”. Pritet që në fillim të shtatorit të hidhet shorti mes dy prokurorëve. Drejtuesja e prokurorisë Dibër nuk do jetë pjesë e shortit për shkak të marrëdhënieve familjare me personat në hetim.
Transferimi i dosjes “184” në prokurorinë e Dibrës u bë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda hoqi dorë prej saj.
Dosja bën fjalë për manipulimet e zgjedhjeve në Dibër në votimet e shtatorit 2016 për kryetarin e bashkisë.
Vendimi për shpalljen e moskompetencës është marrë në fund të muajit korrik nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila hapi hetimet për këtë çështje tri vjet më parë.
Burime të prokurorisë thanë për RTV ORA se procedimi është regjistruar në hetim për veprat “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, por këto dy krime nuk hyjnë në kompetencën lëndore të prokurorisë së krimeve të rënda.
Hetimet për zgjedhjet në Dibër filluan me kallëzim të Partisë Demokratike në datën 6 shtator 2016. gjatë përgjimeve një javore të kryera nga prokuroria u interceptuan biseda mes zyrtarëve lokalë të policisë dhe drejtorisë arsimore por edhe deputetëve të PS që organizonin njerëz për të votuar kandidatin e PS Muharrem Rama, i cili rezultoi fitues përballë kandidatit demokrat Sherefedin Shehu.
Dosja “184” u rikthye në qendër të vëmendjes pasi gazeta gjermane “Bild” publikoi pjesë nga përgjimet ku mes zyrtarëve të regjistruar ishte edhe kryeministri Edi Rama që përgëzonte stafin e PS në Dibër për rezultatin e arritur.
KOHA JONË SONDAZH

