Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë, pas 7 vitesh hetim dosjen ndaj Klubit të Futbollit Tirana

Nga Vladimir Karaj 

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten se kishte dërguar në gjykatë çështjen ndaj presidentit të Klubit të Futbollit Tirana Refik Halili për fshehje të ardhurash. Në akuzës është edhe vetë Klubi i Futbollit Tirana.

Në njoftim për shtyp prokuroria thotë se hetimet në këtë rast kanë filluar në vitin 2017 dhe janë mbyllur vetëm pas 7 vitesh.

“Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr.1755, të vitit 2017, rezultoi se për vitet 2014, 2015, 2016, ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria pretendon se Halili dhe klubi i futbollit kanë fshehur të ardhura në shumën 51.9 milion lekë.  “Nga analizimi i të dhënave prokuroria doli në konkluzion se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori i kësaj shoqërie, shtetasi R.H., gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore”, thuhet në njoftim.

I pyetur në telefon presidenti i Tiranës Refik Halili se ata po përgatisnin një përgjigje të detajuar, për akuzat e prokurorisë që i cilësoi skandaloze.

SHKARKO APP