Prokuroria gjermane: Laboratori i Kokainës aktiv prej muajsh

Prokuroria e Hanoverit në Gjermani ka deklaruar se laboratori I kokainës në Xibrakë të Elbasanit kishte muaj që funksiononte. Ekspertët e prokurorisë bëjnë me dije se gjithçka ka nisur për shkak të hetimit ndaj një 46-vjeçari.

 

Informacioni tjetër I rëndësishëm që vjen nga Prokuroria e Hanoverit është fakti se hetimet për këtë rrjet ndërkombëtar nisën nga ata që në muajin mars, për të patur më vonë, rreth vjeshtës sinjalizimin e parë tek autoritetet shqiptare. Kjo, pasi u siguruan se një laborator i përmasave të mëdha, për përpunimin e kokainës, ishte I vendosur në Shqipëri.

Pala gjermane ka sinjalizuar prokurorët shqiptarë, të cilët menjëherë kanë nisur hetimet, që kanë rezultuar në zbulimin e laboratorit të përpunimit të lëndës së kokainës. Bëhet me dije se nga të dhënat e grumbulluara dhe nga ekspertiza që kanë bërë gjermanët, kokaina vinte në Shqipëri pas përzierjes në Amerikën e Jugut.

Më 14 janar u finalizua nga policia shqiptare operacioni ‘’Xibraka’’. Në momentin e ndërhyrjes së policisë në laboratorin e kokainës në Elbasan u arrestuan 11 persona ndërkohë që pas verifikimeve 2 prej tyre, Fatmir Hoxha dhe Egest Dankësi u lanë të lirë pasi nuk kishin lidhje me trafikun. Mes emrave të arrestuar janë Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ilir Hyseni dhe vëllezërit Arjan dhe Kelmend Dalipi. Eshtë shpallur në kërkim Genci Xhixha.

 

Gjatë operacionit u sekuestruan 121 kilogramë drogë, ku rreth 100 kilogramë ishte kokainë e përzier, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë kokainë e papërpunuar, si dhe 3 deri në 4 ton përzierës. Godina, në brendësi të së cilës ndodhej edhe laboratori i kokainës në Xibrakë ishte kamufluar si magazinë e bimëve mediciale.

SHKARKO APP