Prokuroria greke: 19-vjeçari shqiptar nuk u përdhunua në burg
Edhe pse shteti shqiptar nuk ka reaguar për ngjarjen e rëndë që i ka ndodhur 19-vjeçarit në një burg të Greqisë, prokurori i Gjykatës së Lartë, Xeni Demetriou, ka dhënë sqarime lidhur me dhunimin e Aleksandër Lucaj, i akuzuar për vrasjen e 21-vjeçares Eleni Topoloudi. Pas disa analizave mjeko-ligjore, prokuroria doli në përfundimin se i riu shqiptar nuk ishte përdhunuar nga të burgosurit e tjerë dhe se ndaj tij është ushtruar vetëm dhunë fizike.
Mediat greke raportojnë se spitali “Evangelismos” në Athinë, ka dalë me një deklaratë ku thotë se pas analizave që iu kryen 19-vjeçarit, nuk ka shenja përdhunimi. Aleksandër Lucaj, i cili u dhunua në qeli, hodhi dyshime duke thënë se mendonte të ishte abuzuar nga të burgosurit. Shqiptari u dhunua në qelinë e paraburgimit Avlona pasditen e së hënës. Të burgosurit që e godisnin, kishin filmuar me celularë disa çaste nga dhuna e ushtruar ndaj tij. Ata i bërtisnin përse vrau studenten 21-vjeçare, ndërsa Aleksandër Lucaj u përgjigjej duke u thënë se e bëri shoku i tij grek.
19-vjeçari u dërgua në spital dhe më pas në një burg tjetër, që është mbajtur sekret për shkak të sigurisë së tij. Në dëshminë e tij ai tha se kishte dëgjuar të burgosurit teksa thonin që t’i hiqnin rrobat. “Dëgjova dikë që u bënte thirrje të tjerëve të më hiqnin pantallonat dhe pastaj më ra të fikët. Kur u zgjova, isha në një dhomë tjetër, pa pantallona dhe pa të brendshme. Nuk e di se çfarë mund të kenë bërë me mua”, deklaroi ai. Prokuroria greke ka nisur hetim disiplonor për gardianët dhe hetim penal për të burgosurit që ushtruan dhunë. Po hetohet gjithashtu si ka mundësi që dera e qelisë së Aleksandër Lucës ishte lënë e hapur. Ministria e Drejtësisë në Greqi, e konsideron të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj 19-vjeçarit, ndërsa pohon se ka nisur hetimet se si ka mundësi që të burgosurit e tjerë u futën në qelinë e Aleksandër Lucajt.
”I paraburgosuri ishte vendosur në një dhomë të veçantë pas urdhrave të qarta të Ministrisë për mbrojtjen dhe sigurinë e tij. Megjithatë, ai u sulmua në qelinë e tij nga të burgosurit e tjerë dhe u dërgua në qendrën shëndetësore Kapandritiou dhe më pas në spitalin Evangelismos për kontroll. Ai u trajtua dhe nuk ishte e nevojshme shtrimi në spital dhe u kthye në burg. Ka nisur një hetim disiplinor për incidentin dhe hetim penal për të burgosurit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë greke të Drejtësisë.
Mësohet se Lucaj është transferuar në një burg tjetër dhe është ministria greke e Drejtësisë, ajo që bëri të ditur se ndryshimi bëhet për të siguruar jetën e 19-vjeçarit. Megjithëse i vendosur në një qeli vetëm dhe larg të burgosurve të tjerë, ata mundën të hyjnë dhe të hapin derën e qelisë së tij. Aleksandër Lucaj, Manolis Koukouras dhe studentja Eleni Tofaloudis, kanë qenë së bashku në shtëpi mbrëmjen e 27 nëntorit. Policia dyshon se ngjarja ndodhi pasi vajza ka refuzuar të kryejë marrëdhënie me të dy dhe në këtë moment është tensionuar situata. Ajo u qëllua me hekur në kokë. Më pas, dy të rinjtë e lidhën me litar nga këmbët vajzën dhe e hodhën në det.
KOHA JONË SONDAZH

