Prokuroria mbyll hetimet: Çalamani abuzoi seksualisht me 8-vjeçarin dhe më pas e vrau

Vrasja monstruoze e 8-vjeçarit Mateo në Fier nga komshiu i tij, Klodian Çalamani më 16 nëntor 2021, tronditi thellë shoqërinë shqiptare. Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Mateos nga fqinji i ti, Klodian Çalamani.

Prokuroria ka arritur në përfundimin se fqinji i tij e kishte abuzuar seksualisht dhe më pas e kishte vrarë. Në momentin që prindërit kishin vënë alarmin për zhdukjen e të miturit, mostra e kishte groposur në oborrin e shtëpisë së tij, në tentativën për të fshehur çdo gjurmë.

”Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazëm e lopata”,-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pas vrasjes nisën një sërë protestash dhe e gjithë Shqipëria u ngrit në këmbë për këtë ngjarje që nuk kishte ndodhur për shumë vite. Në atë kohë u tha edhe se një grua mund të jetë e përfshirë në krim. Mateo ka parë diçka, thotë tezja e tij, por ende sot nuk jepet një përgjigje pse u vra 8-vjeçari. Nëse shoqëria nuk merr masa, krime të tjera kanë për të ndodhur.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim të pandehurin Klodian Çalamani i akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga nenet 100/2 dhe 79 gërma “a” të K.Penal.

Nga hetimet paraprake rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i M.V, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij. Menjëherë pasi është marrë kallzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori.

Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari K. Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100m larg banesës së të miturit. Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërimimit u gjet trupi pa jetë i viktimës. Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit K. Çalamani.

Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal. Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta kazëm e lopata”.

SHKARKO APP