Prokuroria nis hetimet ndaj 7 punonjësve të Bankers

 

Të paktën shtatë persona, drejtues administrativë dhe teknikë të “Bankers Petroleum” dhe kompanive të nënkontraktuara prej saj, janë identifikuar si përgjegjës për shpërthimet e gazit në zonën e Marinzës.

Prokuroria e Fierit njoftoi nisjen e hetimeve për veprën penale të “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “ndotje e ajrit” për shtetasit Leonidha Çobo, drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum”, Lane Gardipee, supervizor shpimi i “Bankers Petroleum” për operacionet e sondës ku ndodhi incidenti, Wayne Gaunt, menaxher për operacionet e shpimit të “Bankers”, Steve Hrushka, menaxher i sondës së shoqërisë “Simmons” e kontraktuar prej “Bankers”, Mike Davy, përgjegjës mbikqyrës për operacionet e shpimit po i kompanisë “Simmons”, Frenc Lazlo, supervizor i operacioneve të çimentimit i shoqërisë “Rotary”, e nënkontraktuar nga “Bankers” dhe Tibor Vargon, inxhinier po i së njëjtës kompani.

Menjëherë pas shpërthimit të gazit natyror në zonën e Marinzës, Prokuroria e Fierit nisi hetimin, në kuadër të të cilit u administruan raportet e inspektimit dhe kontrollit të disa institucioneve qendrore dhe vendore, në bazë të të cilave u krijuan dyshimet konkrete mbi personat e sipërpërmendur.

Ndërkohë, në vijim të hetimit, Prokuroria e Fierit është në pritje të raportit nga Drejtoria e Tatimeve, lidhur me veprimtarinë financiare të kompanisë “Bankers Petroleum”./ Top Channel

SHKARKO APP