Prokuroria: Xhuvani ishte në Spitalin Psikiatrik kur u akuzua se qëlloi me armë në Gjirokastër

Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila nëpërmjet një deklarate ka pohuar sot se pse nuk nuk ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet se shtetasi Kostandin Xhuvani ka kanosur tre shtetas dhe ka qëlluar me armë në ajër në ambjent publik orën 19.00 në dt. 25 prill 2014, në Gjirokastër. Sipas prokurorisë, referimi për këtë person është kryer pasi, tre shtetasit e kanosur kanë bërë njohjen e të dyshuarit nëpërmjet fotografive.

Ja çfarë thuhet në deklaratën që Prokuroria ka bërë publike, duke hedhur poshtë akuzat e PD-së se Xhuvani duhej të ishte në kërkim nga policia për këtë ngjarje.

Deklarata e Prokurorisë

Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se shtetasi Xhuvani, në kohën që pretendohet se ka qenë në Gjirokastër dhe ka kanosur tre shtetasit, si edhe ka qëlluar me armë në ajër, ka qenë në Elbasan. Kjo vërtetohet nga kartela mjekësore e spitalit psikiatrik të Elbasanit, në të cilin ai është dërguar pasi kishte konsumuar shumë alkool. Fakti që ka qenë në spitalin e Elbasanit provohet nga kartela mjekësore, si edhe nga stafi mjekësor. Sipas kartelës mjekësore, shtetasi Xhuvani është paraqitur para trupës mjekësore në datë 25.04.2014, në orën 17.00 (pra në të njëjtën ditë dhe përafërsisht në të njëjtin hark kohor ku pretendohet se ka qenë në Gjirokastër).

Më poshtë është vendimi i pushimit të hetimeve

Mbi bazën e akteve të referuara nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, në datën 28.04.2014 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ka regjistruar proçedimin penal nr. 237 në ngarkim të shtetasit Kostandin Xhuvani, i dyshuar për veprat penale të “kanosjes” parashikuar nga neni 84 i K.Penal dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/4 I K.Penal.
Nga të dhënat e marra gjatë veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se:
Në datën 25.04.2014, rreth orës 19:30, është njoftuar Salla Operative e Komisariatit të Policisë Gjirokastër se pranë lokal “Lithiumit” në lagjen 18 Shtatori ka ndodhur një konflikt me armë ku një person ka qëlluar me pistoletë.
Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes ku është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe shoqërimi për në Komisariat i disa personave të pranishëm.
Nga kqyrja rezultoi se vendi i ngjarjes ndodhej në rrugën përreth stadiumit të qytetit dhe kokretisht përballë portës së Stadiumit dhe dyqaneve “Lei – Lui”, butik rrobash. Në këtë segment përballë dyqanit janë të parkuara përbri njëra tjetrës automjete të llojeve të ndryshme si Fiat me targë 66xxxxxx, benz me ngjyrë ulliri me targë AAxxxxBU si dhe automjete të tjera. Gjatë kqyrjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre gëzhoja metalike si ato të armëve të zjarrit si dhe automjeti tip benz me targë AAxxxBU, xhami i pasëm i të cilit është dëmtuar totalisht. Ky mjet ka pronar shtetasin Virgjil Gërveshi.
Është bërë kontrolli i automjetit me targë AA xxx BU, ku gjatë kontrollit të këtij automjeti në brendësi të tij, poshtë mbajtëses së dorës, në mes të dy sedileve të para të mjetit u gjet një pjesë metalike si ajo e predhave të armëve luftarake e cila ishte në gjendje të dëmtuar.
Për nevoja të hetimeve, policia gjyqësore sekuestroi tre gëzhojat metalike si dhe automjetin ku u gjet predha e armës.
Nga deklarimet e marra shtetasve I.Z, D.H dhe E. G., rezultoi se rreth orës 19.00, shtetaset I. Z. dhe D. H. kanë qenë duke pirë kafe në lokal “SËeet”i cili ndodhet në katin e dytë të një objekti përballë stadiumit. Gjatë kohës që ato kanë qenë në lokal, janë ngacmuar nga një person i cili ndodhej në një tavolinë të lokalit me dy persona të tjerë. Pas këtij momenti, I.Z ka njoftuar me anë të telefonit një shokun e saj i cili quhet E.G. Pasi E.G ka shkuar në lokal dhe ka takuar këto shtetase, është ulur në tavolinën e tyre, ndërkohë që D.H i ka thënë se përsëri personi i kishte bërë gjeste asaj. Në këtë moment E.G është çuar nga tavolina dhe ka shkuar tek tavolina ku ndodheshin këta tre çuna dhe u ka thënë të dilin jashtë të sqaronin diçka. Pasi kanë zbritur, ata kanë filluar të shaheshin dhe ofendoheshin me njëri-tjetrin dhe të shtyheshin me duar, por pa u qëlluar fillimisht. Në këtë moment, njëri nga tre personat nxorri nga brezi një armë zjarri të tipit pistoletë dhe pasi e ka mbushur, qëlloi tre herë në ajër dhe u largua në drejtim të taksive, ndërsa Ergysi u fut brenda në lokal.
Nga paraqitja për njohje me anë të fotografive, rezultoi se personi të cilin tre shtetasit identifikonin si personi i cili qëlloi me pistoletë, ishte shtetasi Kostandin Xhuvani, banor i qytetit të Tiranës.
Nga ana e mbrojtësit të të dyshuarit Kostandin Xhuvani, është paraqitur një memorie sipas së cilës i dyshuari nuk ishte autor i kësaj ngjarjeje dhe se ai ditën e ngjarjes kishte qenë në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan. Për nevoja të hetimeve, nga policia gjyqësore u këqyr dhe u mor një kopje e librit të konsultave në këtë spital, nga ku rezultoi se në një nga fletët e këtij libri ishte shënuar emri i të dyshuarit Kostandin Xhuvani në datën 25.04.2014, ora 17.00.
I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Kostandin Xhuvani, në prani të mbrojtësit të tij deklaroi se ditën e ngjarjes ai ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe më pas ai ka shkuar në spital, pas konsumimit të një sasie alkooli. Ai mohoi të kishte qenë në qytetin e Gjirokastrës dhe për më tepër të ishte autori i veprave për të cilat hetohej.
Për nevoja të hetimeve, u krye paraqitja për njohjen fizike të të dyshuarit nga shtetasi E.G. Shtetasi E.G deklaroi se nuk njihte asnjë nga personat e vendosur në radhë si autor i goditjes me armë ditën e ngjarjes.
Për verifikimin e rrethanave të paraqitura nga i dyshuari, u pyet si person që ka dijeni për veprën penale shtetasi A.M. Ai deklaroi se në datën 25.04.2014, ai ka qenë së bashku me Kostandinin dhe një shokun e tij të quajtur T. në qytetin e Elbasanit. Pasi janë takuar, të tre kanë shkuar tek një lokal ku dhe Kostandini ka konsumuar alkool më shumë se personat e tjerë. Ai nuk është ndjerë mirë për shkak të alkoolit dhe duke qenë se ata kanë patur spitalin psikiatrik afër dhe duke qenë se në këtë spital merrej ndihma e parë mjekësore, e dërguan Kostandinin në këtë spital, ku ai ka marrë disa mjekime dhe më pas ai dhe A.M kanë shkuar në banesën e këtij të fundit, ku Kostandini ka fjetur atë natë. Fakti i të qenit i alkoolizuar, pasqyrohet edhe në shënimin e librit të vizitave të spitalit.
Nga tërësia e të dhënave të marra gjatë veprimeve hetimore të kryera, rezulton se nuk provohet kryerja e veprave penale të “kanosjes” parashikuar nga neni 84 I K.Penal dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/4 I K.Penal nga ana e shtetasit Kostandin Xhuvani. Në këtë përfundim arrihet pasi pavarësisht paraqitjes për njohje me anë të fotografive, të të dyshuarit, nuk rrëzohet alibia e pretenduar prej tij dhe e konfirmuar nga një akt publik i përpiluar nga punonjës shtetërorë gjatë ushtrimit të detyrës. Ky fakt vërtetohet edhe nga ana e pyetjes së shtetasit A.M. Lidhur me paraqitjen për njohje me anë të fotografive, duke patur parasysh natyrën e këtij veprimi, rezultoi se kryerja e këtij veprimi me paraqitjen fizike të personit objekt njohjeje, çoi në një përfundim tjetër, çka dëshmoi për fuqinë provuese jo të konsiderueshme të paraqitjeve për njohje me anë të fotografive.
Duke marr parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 327/2 dhe 328/1 pika dh) të K. Pr. Penale,

V E N D O S A:
– Të pushoj pjesërisht hetimet, duke pushuar ndjekjen penale për shtetasin Kostandin Xhuvani, për veprat penale të “kanosjes” parashikuar nga neni 84 I K.Penal dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278/4 I K.Penal.

SHKARKO APP