Prokuroria zbut akuzën për Hasanpapajn, atentatorin që qëlloi mbi Çapjat
Ka marrë një kthesë të fortë hetimi për dosjen kundër 20-vjeçarit Shkëlzen Hasanpapaj në prokurorinë e Elbasanit, i cili në 6 qershor 2016, qëlloi disa herë me kallashnikov në një automjet tip Golf, ku brenda tij ndodhej Florenc Çapja dhe Bledar Muça, dy emra të njohur të botës së krimit në këtë qytet.
Breshëritë e automatikut që tronditën qëndrën e Elbasanit dhe lanë një vendgjarje, mu përpara derës së prokurorisë së rrethit, janë sfumuar dhe se dosja hetimore që nisi me shumë vrull nga akuza për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë ndaj Çapjat dhe Muçës është pushuar dhe ndaj të riut Hasanpapaj, janë ngritur nga prokuroria akuza e “Kanosjes me armë”, “Armëmbajtje pa lejë” dhe “Plagosjes së lehtë me dashje” në dëm të Bledar Muçës dhe efektives së policisë Matilda Kërmezi.
Me këtë veprim veprim, pra të ndryshimit të akuzave nga vrasje në kanosje, duket se prokuroria e Elbasanit i ka hedhur bezinë zjarrit që ndodhet mes dy grupeve kriminale që veprojnë në qytet. Hetimi përf këtë dosje ka përfundur nga 27 dhjetor 2017 dhe prokurorja e ccështjes ka qënë Eliverta Murra, ndërkohë para saj dy prokurorë të tjerë para saj kishin dhënë dorëheqjen.
Prokurori do zëvendësohet
Mësohet se pak ditë më parë dosja në ngarkim të Hasanpapaj i është përcjellë gjykatës së Elbasanit për shqyrtim. Aktualisht procesi është në fazën e seancës së hetimit paraprak në gjykatë. Nga ana tjetër mësohet se drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit ka urdhëruar zëvendësimin e prokurorit të dosjes dhe ka caktuar një prokuror tjetër për tu përfaqësuar në gjykatë.
Ndërkohë që ka shumë gjasa që vetë prokuroria të kërkojë në gjykatë tërheqjen e akteve hetimore ndaj të pandehurit 20-vjeçar Shkëlzen Hasanpapaj. Ky i fundit u arrestua nga policia në Hollandë dhe në muajin tetor 2017 ai u ekstradua në masa të forta sigurie në Shqipëri. Gjatë marjes në pyetje Hasanpapaj ka refuzuar të japë shpjegime.
Xhami i blinduar që shpëtoi Çapjan e Muçën
Mesditën e 6 qershorit 2016 i pandehuri Hasanpapaj i veshur me uniformë ushtrie dhe që në dorë mbante një çantë kamoflazhi brenda së cilës kishte futur një automatik, ka qëlluar dhjetëra plumba mbi automjetin tip “Golf 5”, në të cilin udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja, dy emra të njohur nga policia kriminale në Elbasan.
Makina me targa AA 997 NE ishte në në pronësi të Florenc Çapjas. Atentati kishte si motiv hakmarjen seriale mes grupeve kriminale rivale në qytetin e Elbasanit. Autori është kujdesuar të vrasin të dy personat që ishin në makinë Florenc Çapjan dhe kushërin e tij Bledar Muçën, por xhami i pari i blinduar i makinës, ka bërë që plumbat të mos depërtojnë në anën ballore të mjetit.
Ndërkohë një breshëri e dytë në anën anësore të makinës, ka sjellë plagosjen e Bledar Muçës që ishte në vendin e parë të pasagjerit. Florenc Çapja që ndodhej në timon nuk ka marrë asnjë plumb, por mësohet se ai të ketë manovruar shpejt makinën, duke e nxjerrë atë nga rruga dhe futur në rrethimin e brendshëm të maternitetit të spitalit Elbasan, që dikur ka qenë ish-kirurgjia.
I plagosuri Bledar Muça ka marrë ndihmën e parë mjekësore ndërkohë që Florenc Çapja është larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur automjetin dhe mos pritur policinë të tregonte rreth karakteristikave të autorit që qëlloi me armë mbi ta. Më vonë ai u shoqëruar nga policia, por mësohet se nuk ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen. Ky ishte atentati i dytë me armë brenda katër muajve të vitit 2016 që Florenc Çapja e Bledar Muça i shpëtuan plumbave.
Plagosja e polices
Dy breshëritë e kallashnikovit kanë tronditur zonën më të frekuentuar të Elbasanit. Ka qënë mesditë e 6 qershorit 2016, ku vetëm 5 metra prokurorisë e gjykatës së këtij qyteti dhe vetëm 300 metra larg Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, Shkëlzen Hasanpapaj, i veshur si ushtarak ka qëlluar dy herë me breshëri në tentativë për të vrarë Florenc Çapjan dhe Bledar Muçën.
Nga breshëritë e automatikut veç Bledar Muçës, e plagosur ka mbetur dhe një efektive e policisë së Elbasanit e cila ndodhej në trotuar duke shkuar në punë. Matilda Kërmezo 49-vjeçe është punonjëse në sektorin e analizën pranë Drejtorisë së Policisë Elbasan. Ajo në këtë atentat morri një plumb në pjesën e gjoksit dhe nga sa mësohet është jashtë rrezikut për jetën. Kërmezi ka marrë ndihmën e shpejte dhe se sipas policisë ajo nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen por është goditur aksidentalisht.
Në momentin e ngjarjes, zona ka qënë e mbushur me njerës. Nga plumbat e armës, është dëmtuar dhe një automjet tjetër tip “Ford Fokus” me targa AA 234 TR, por fatmirësisht asnjë nuk ka mbetur i lënduar.
Hedhja e automatikut
Sipas prokurorisë së Elbasanit vetëm një person ka qëlluar me automatik. Ndërkohë një person i dytë dyshohet se e ka pritur autorin e krimit me motor ose me makinë në një rrugë dytësore, ku dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Arma automatike me të cilën u qëllua është tentuar të hidhet nga Hasanpapaj në oborrin e një banese private, por arma ka mbetur në murin rrethues. Hetuesit e policisë thonë se në këtë ngjarje janë përfshirë më tepër se dy persona, pasi autori i krimit ka pasur informacion të saktë për lëvizjet e Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës, të cilët ishin në lëvizje me makinën e tyre tip “Golf 5”. Një person i tretë ka shërbyer për dhënien me telefon të lëvizjes dhe vendodhjen e tyre, nga ku më pas u realizua dhe atentati.
ADN e gjakut zbuloi atentatorin kundër Çapjave
Hasanpapaj u arrestua 16 ditë pas ngjarjes dhe sërisht u lirua
Për të siguruar provat e nevojshme, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është urdhëruar në muajin dhjetor 2016 ekspertiza e ADN-së për prindërit e të dyshuarit Hasanpapaj. Nga ekspertiza, rezultoi se ADN-ja e gjetur në vendin e ngjarjes lidhet me shtetasit Qemal dhe A. Hasanpapaj (prindërit e të dyshuarit) në raportin “nënë-bir” dhe “babë-bir”.
Në bazë të analizës gjenetike, por edhe në bazë të provave të tjera të përfituara gjatë hetimit të deritanishëm, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se autori i ngjarjes së datës 6 qershor 2016 në Elbasan është shtetasi Shkëlzen Hasanpapaj. Ndaj këtij shtetasi është nxjerrë urdhëri i kërkimit ndërkombëtar, pasi rezultonte se ai ishte larguar jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Elbasanit tha në atë periudhë se Shkëlzen Hasanpapaj, personi i arrestuar në Hollandë për atentatin kundër Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas, është larguar jashtë shtetit menjëherë pas kryerjes së krimit.
Kjo deklaratë del bllof me atë që ka thënë policia e këtij qyteti në muajin qershor 2016, e cila njoftonte në atë kohë Shkëlzen Hasanpapaj ishte arrestuar në 22 qershor, pra 16 ditë pas atentatit dhe më pas është liruar nga gjykata e Elbasanit, pasi akuza ndaj tij nuk ishte për vrasje, por për “Drejtim mjeti pa leje drejtimi”. Sapo është liruar nga qelitë e policisë së Elbasanit,19-vjeçari është larguar nga shqipëria, duke u arrestuar 8 muaj pas sulmit me kallashnikov ndaj Bledar Muçës dhe Florec Çapjas. Autoritetet policore hollandeze kanë ekzekutuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit, për shtetasin i Shkëlzen Hasanpapaj, që në atë kohë ishte i dyshuar për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Ndaj Hasanpapaj, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit,gjykata e qytetit ka vendosur në “Nëntor 2016” masën e sigurisë “arrest në burg”,pasi dyshohet se, paraditen e datës 6 qershor 2016, në qytetin e Elbasanit,përballë ish-kirurgjisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit tip “Golf 5”, duke plagosur brenda tij shtetasin Bledar Muça, si dhe është plagosur shtetasja M.Kermezo, punonjëse policie, e cila, në momentin e ngjarjes, ka qenë rastësisht si këmbësore aty.
KOHA JONË SONDAZH


