Pronarja italiane e fabrikës në Vlorë e kërcënuar nga krimi, e zhgënjyer nga shteti

Sipërmarrëse italiane Marta Cardillo i është kërcënuar disa herë biznesi i saj në Vlorë. Ajo  ka deklaruar se policia nuk po merr asnjë masë, edhe pse ka denoncuar të gjitha tentativat e djegies së fabrikës së këpucëve nga persona të paidentifikuar. Nëse shteti shqiptar nuk e ndihmon, biznesmenia italiane kërcënon se do të largohet megjithëse prej 20 vitesh investon në Shqipëri, ku edhe ka punësuar me qindra gra.

 “Në këto 10 ditë kanë ndodhur 4 tentativa, herën e parë dhe të dytë na vunë zjarrin dhe e zgjidhem vetë të gjithë por herën e 4-ët na kanë vënë bombula gazi dhe donin të na hidhnin në erë të gjithë fabrikën. Kemi bërë denoncim, kam folur dhe me  ministrin Sajmir Tahiri . Mbrëmë kisha një tentativë tjetër, pasi kanë ardhur 2 makina që na kanë marrë qentë dhe nuk dihet se ku janë. Unë dua thjesht ndihmën e shtetit. Nëse ata nuk më ndihmojnë, duhet të iki. As në 97-tën nuk i pata këto probleme”, thekson ajo.

Sipas Drejtorit të kompanisë “Tomaificio Maro”, Antonio Parente, të gjitha planet për të dëmtuar biznesin kanë dështuar pasi është arritur të shuhet zjarri në një kohë shumë të shpejtë. Por tentativat sa vijnë e po bëhen më agresive, tregon Parente.

 “Në këto 10-12 ditë kemi pasur 3 zjarre dhe 1 tentativë zjarri por nuk arritëm dot t’i kapnim personat që e bënë këtë gjë. Herën e tretë na e vunë zjarrin me benzinë. Atëherë e kuptuam që zjarri ishte i qëllimshëm. Hera e 4-ët që për pak i kapnim, ishin bombula gazi. Ehe këtë herë nëse do nuk do ishim mobilizuar shumë shpejt do të ishim shkatërruar. Ndërkohë nga policia nuk kemi asnjë shpjegim”, u shpreh ai.

Drejtuesit e kompanisë thonë se të gjitha këto incidente kane lidhje me konkurrencën. Marta Cardillo, pronarja e fabrikës së këpucëve, e ka hapur biznesin e saj  në  Vlorë para 20 vitesh.  Punonjësit e fabrikës bojkotuan për një orë punën në shenje proteste duke apeluar vënien e autorëve përpara drejtësisë.

SHKARKO APP