Propozimet e PD për Zgjedhoren, Hyseni: Atë që nuk e morën me molotov, nuk e marrin dot në tavolinë
Lidhur me propozimet e Partisë Demokratike mbi Reformën Zgjedhore, deputeti socialist Alket Hyseni deklaroi se ata do të shqyrtohen, ndonëse një pjesë e tyre nuk përmbajnë asnjë element profesional. Por ai u shpreh i prerë se opozita nuk do të arrijë të marrë në tryezë zgjedhjet e parakohshme.
“Ne do të shqyrtojmë çdo propozim të tyre. Nuk mund të prodhojmë gjëra ekstra kushtetuese. Me keqardhje konstatoj se disa nga propozimet nuk kanë në përbërjen e tyre asnjë element profesional. E kuptoj se ajo është në vështirësinë e saj për të devijuar aksionin e rrugës. Do të ketë diskutime për çdo pikë dhe presje. Atë që ata nuk e morën dot me muaj të tërë me molotov, nuk do e marrin dot në tavolinë. Opozita ka disa ekspertë shumë të mirë, ama një gjë duhet të kenë të qartë se zgjedhjet bëhen njëherë në katër vjet dhe varen vetëm nga vullneti i shqiptarëve’, tha Hyseni.
Deputeti socialist Alket Hyseni ka deklaruar në studion e Report Tv se as zyrtarët e shtetit nuk do të shpëtojnë nga sita e Operacionit Forca e Ligjit.
“Operacioni është rezultativ. Kuptoj që janë operacione delikate që do të ruajnë liritë e individëve. Unë jam vetëm optimist që do të kemi një superoperacion. Personi që hetohet dhe gjykohet për armëmbajtje pa leje pas një viti mund të hetohet për diçka tjetër. Qëllimi jonë është luftë pa kompromis. Operacioni nuk përjashton asnjë nga zyrtarët e shtetit që kanë suportuar krimin direkt apo indirekt. Askush nuk është i paprekshëm’, tha Hyseni.