Prostitutat shqiptare, 600 euro në natë. Goditet ”Gjenerata e re”
Policia e Astit në Itali, ekzekutoi urdhër-arrestin e gjykatës ndaj një 25-vjeçari shqiptar, i cili kërkohej për shfrytëzim prostitucioni. Në korrik të vitit 2018, ai i kishte shpëtuar arrestimit, duke shkuar menjëherë në Shqipëri, ndërsa policia italiane zhvillonte operacionin e koduar “Gjenerata e re”.
Grupi hetimor identifikoi 11 persona që bashkëpunonin për të shfrytëzuar si prostituta me dhjetra vajza shqiptare. Në pranga ranë 4 tutorët që duken në foto, dy 33-vjeçarë, një 29-vjeçar dhe një vajzë 28 vjeçe, të gjithë shqiptarë. U identifikuan më shumë se 12 vajza të ardhura nga Shqipëria, ku më e vogla sapo kishte mbushur 18 vjeçe. Ndonjëra prej tyre kishte lidhje emocionale me tutorët, ndërsa aktiviteti zhvillohej në shtëpi të siguruara nga tutorët apo edhe në apartamentet e klientëve, kur rastet ishin me porosi.
Banda kishte zhvilluar një rrjet të brendshëm spiunazhi, ku kontakti më policinë bëhej i pamundur. Secila nga vajzat grumbullonte nga 500 deri në 600 euro fitim në ditë, ku fillimjavët ishin momentet më shpërblyese, pasi klientët kishin më pak angazhime familjare, shkruajnë mediat italiane.