Protesta e Astirit mbush 1 vit sot, Manushaqe: Simbolizon themelimin e Tiranës moderne, beteja vazhdon

Sot protesta e banorëve të Unazës së Re mbush plot një vit teksa këta janë në mbrojtje të banesave të tyre që preken nga vijimi i projektit, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut ndaj pronave të tyre.

Kjo ka qenë një nga protestat më afatgjata dhe njëkohësisht e veçantë në llojin e saj, pasi banorët të mbështetur edhe nga opozita e bashkuar, dalin çdo mbrëmje në rrugë dhe bëjnë thirrje ndaj qeverisë për të plotësuar kërkesat e tyre.

Në studion e lajmeve të Fax News për të folur për këtë qëndresë qytetare, ishte avokati dhe aktivisti, Artan Manushaqe i cili tha se kjo protestë, do të mbahet mend si diçka e cila simbolizon sipas tij themelimin e Tiranës moderne.

Manushaqe vijoi më tej duke thënë se, Rama i mashtroi banorët gjatë fushatës elektorale të 2013 ndërsa argumentoi se protesta e banorëve është e ligjshme dhe do të vijojë deri në arritjen e një zgjdhjeje të pranuar nga të gjithë.

“Kjo protestë simbolizon themelimin e Tiranës moderne sepse protesta e banorëve është diçka e provuar nga institucionet e pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare si legjitime dhe do të vijojë deri në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk ka asnjë banorë që është kundër projektit dhe investimit, ata kanë kërkuar që prej një viti dëmshpërblimin në vlerën e tregut.

Edi Rama ka inteligjencën e peshkut për të qeverisur. Vetë ju ka thënë atyre banorëve, ka ardhur në 2013 kur ka bërë fushatë dhe ka thënë se kur të ngjallet diktatori do të shembeshin shtëpitë e tyre. Pushteti më i madh është pushteti qytetar, një sistem politik mbështetet tek populli dhe kur të dalin banorët e Unazës, fermerët e Lushnjes, artistët tek teatri, të dëmtuarit nga tërmetet, banorët që protestojnë për HEC-et në Mirditë duhen dëgjuar.

Nuk ia uroj asnjë familjari, është terrerizuese, por banorët e Unazës së Re besojnë tek drejtësia. Ka pasur edhe problem shëndetësore për banorët, por trauma më e madhe është ajo psikologjike sidomos tek gratë dhe fëmijët, por ata banorë janë të zotët dhe të vendosur, e kanë ndarë mendjen shtëpia është shtëpi dhe nuk dorëzohen. Ka pasur dënime, intimidime dhunë, kanë përdorur çdo mekanizëm këta të rilindjes por asgjë të tillë që e dëmton protestën”, tha Manushaqe në Fax News.

SHKARKO APP