Protesta e Himarës, Lubonja: Pse Greqia ngre zërin për Belerin dhe jo për regjimin autoritar që prek edhe minoritetin grek?

Analisti Fatos Lubonja i ka kushtuar një shkrim çështjes së Fredi Belerit dhe protestës së mbajtur në Himarë, ku ngre pikëpyetjen se pse Greqia si një shtet anëtar i vjetër i BE-së ka “ngritur zërin” vetëm pas rastit të Belerit lidhur me mungesën e shteti të së drejtës në Shqipëri, “ndërkohë që deri më sot është bërë partnere së bashku me vende të tjera Perëndimore në instalimin e një regjimi autoritar nga i cili nuk vuan vetëm minoriteti grek por edhe krejt shqiptarët”.

Shkrimi i plotë

Ish gjykatësi shqiptar i Strasburgut Ledi Bianku duke ballafaquar reformën në drejtësi në Poloni me reformën në drejtësi në Shqipëri ka venë në dukje standartet e dyfishta të Komisionit Evropian lidhur me këto dy reforma. Kjo sepse ndërsa qëllimi dhe efekti i të dyjave është i njëjtë: kapja e drejtësisë nga ekzekutivi, paradoksalisht, ndaj asaj polake Komisioni ka reaguar me kritika të forta, (së fundi BE i ka vënë edhe sanksione Polonisë), kurse shqiptaren e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë si një histori suksesi duke promovuar iniciuesin e saj kryeministrin Rama.

Shumë shqiptarë duke e vuajtur në kurriz drejtësinë e re shqiptare shtrojnë pyetjen: si ka mundësi që perëndimorët sillen me ne kundër parimeve e vlerave të tyre themelore të shtetit të së drejtës? Është një pyetje që mund t’i ngrihet fare mirë edhe shtetit Grek si antar i vjetër i BE-së, veçanërisht pas arrestimit në Himarë dy tre ditë para zgjedhjeve të kandidatit të minoritetit grek Beleri një shembull flagrant ky – si nga procedurat që janë ndjekur edhe mungesa e fakteve – i përdorimit të drejtësisë nga ekzekutivi për të eliminuar kundërshtarët politikë.

Pyetja që ngrihet për shtetin grek është: pse Greqia që si shtet fqinj me Shqipërinë duhet të jetë shumë më e informuar ka pritur rastin Bejleri për të ngritur zërin lidhur me mungesën e shteti të së drejtës në Shqipëri ndërkohë që deri më sot është bërë partnere sëbashku me vende të tjera Perëndimore në instalimin e një regjimi autoritar nga i cili nuk vuan vetëm minoriteti grek por edhe krejt shqiptarët?

SHKARKO APP