Protesta e PD-së në Ditën e Sulltan Nevruzit, nënkryetari Boçi: Zemërimi nuk ka pushim
Deputeti dhe nënkryetari i PD, Luçiano Boçi flet për protestën e datës 22 mars, një ditë që përkon edhe me festën e Sulltan Nevruzit. Boçi thotë se kjo datë është zgjedhur për simbolikën e saj të dyfishtë, duke theksuar se 22 marsi ka një domethënie historike për vendin, por edhe një rëndësi të veçantë shpirtërore për besimtarët.
”Përse kjo ditë? Dita është historike, sikurse është edhe ditë e shenjtë. I bashkon të dyja. Është 22 marsi, vendosja e sistemit demokratik në vend, i cili sot ka marrë goditje fatale nga partia komunisto-socialiste-rilindase. Duhet patjetër reagim”, deklaroi Boçi në ”News 24”.
Sipas tij, protesta nuk mund të kufizohet apo të shtyhet për shkak të festave, pasi pakënaqësia qytetare, siç tha ai, është e vazhdueshme dhe nuk njeh pushim. ”Po të ecim me idenë që protesta duhet të respektojë pushimin, ajo humbet sensin. Do të bashkojmë shenjtërinë e kësaj date me anën historike të saj dhe do t’u bëjmë thirrje qytetarëve. Nuk ka një moment kur zemërimi bën pushim dhe një ditë tjetër kur zemërimi është në punë. Zemërimi është çdo ditë dhe, kur çështja nuk zgjidhet, ai vijon me forma të ndryshme”, u shpreh Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

