Protesta e qenve, aktivistja Sallçini: Kryetari i bashkisë nuk i përgjigjet kauzës tonë, kemi dërguar kërkesë në SPAK
E ftuar në studion e RTV Ora, aktivistja e kafshëve Jeta Sallçini ka folur për protestën e cila po zhvillohet prej disa ditësh përpara bashkisë së Tiranës për qentë e keqtrajtuar.
Sallçini u shpreh se ekziston një ligj për kafshët, i cili nuk zbatohet.
Ajo i bën thirrje të gjithëve që të sensibilizohen në këtë çështje, ndërsa shprehet se nga bashkia nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesat e tyre.
Ndër të tjera thotë se kanë dërguar një kërkesë në SPAK për zgjidhjen e këtij problemi.
Prej ditësh ju kemi parë të protestoni në forma kreative dhe jo vetëm përpara bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar sipas jush vrasjen barbare të qenve. Cili është qëllimi i kësaj proteste dhe ku e bazoni atë?
Sallçini:” Protesta jonë është një kauzë shumë e drejtë. Krimet që janë bërë së fundmi janë të gjitha të faktuara me video, abuzimet gjithashtu le të themi financiare dhe më e rëndësishmja është që ligji duhet të zbatohet.
Është miratuar një ligj për kafshët, i cili ka rreth 12 muaj që është miratuar dhe njerëzit nuk sensibilizohen, ai ligj nuk zbatohet. Kjo është kauza jonë.”
Çfarë ndodh nga qentë e rrugës sipas jush ?
Sallçini:” Kjo është një problematikë shumë e gjerë që le të themi është zinxhir. Qentë e rrugës duhet të kenë strehën e tyre. Kjo është një ndër kërkesat e kauzës tonë, përderisa ne jemi taksa pagues të këtij vendi. Rëndësi ka që me këto taksa të ketë një strehë për këto kafshë, mos kemi më abuzime. Njerëzit duhet të sensibilizohen.”
E luan këtë funksion qendra e ngritur në kombinat? Të paktën ky është pretendimi i bashkisë.
Sallçini:” Qendra e mbrojtjes së konsumatorit është në pronësi të bashkisë së Tiranës, të paktën kështu na është informuar dhe po të vëreni nëpër rrjete sociale ka shumë abuzime. Ndodhin akte çnjerëzore që qentë vriten me acid etj. Kjo duhet të marrë fund.”
Cila ka qenë përgjigja nga ana e bashkisë?
Sallçini:” Ndër vite kemi protestuar, ndër vite kemi kërkuar të ulemi kush ka qenë dhe kush është ende kryetar i bashkisë, nuk ka është thënë asnjëherë një përgjigje. Mënyra jonë e vetme ishte që të jemi të gjithë të bashkuar në kauzën tonë, shpresoj për mirë. Kemi ngritur një ankesë në SPAK për fondet për atë institucion që është në varësi të bashkisë dhe shpresojmë më të mirën për ato kafshë.”
Si bëhet grumbullimi i protestuesve që kanë dalë për ditë me radhë përpara bashkisë? Ka qenë diçka spontane, ka një komunitet të caktuar, ka organizata që trajtojnë këto problematika?
Sallçini:” Nisi spontanisht nga një qen që merrej zvarrë nga punonjës së bashkisë dhe kështu nisi e gjitha. Kështu kanë nisur të gjitha protesta tona. Ka shumë organizata për mbrojtjen e kafshëve, edhe nëpër botë, por që nuk kemi pasur ende mbështetje.”
Si e keni parë përgjigjen e kryebashkiakut Veliaj? Ai është shprehur se për kafshët ka vaksina, ka madje dhe parqe lojërash, aspekte që sipas tij janë të panjohura për Ballkanin por edhe më gjerë.
Sallçini:” Do të thoja që ka bërë shumë mirë që ka bërë parqet e lojërave dhe vaksinimi do ishte shumë mirë që të ishte një lajm mëse i vërtetë. E vërteta është që parqe për kafshët ka në të gjithë botën. Do doja që në të gjitha qytetet me radhë do doja të kishte streha për kafshët. Përsa i përket vaksinimit mua mu duk një përgjigje qesharake dhe ofenduese që nëse do citoj shprehjen e kryebashkiakut tha se “50 euro kushton një vaksinë.”
Për mua është e rreme dhe shumë ofenduese, sidomos flasim për qentë endacakë. Mendoj se është një abuzim.”
Ka pasur dhe qytetarë që janë shprehur se Shqipëria ka probleme më të mëdha se të drejtat e kafshëve. Keni një mesazh ose një apel në raport me këtë?
Sallçini:” Patjetër. Kemi probleme më të mëdha, pro dhe kafshët janë një problem i madh dhe nëse ne nuk sensibilizohemi, ne jemi njerëz dhe kemi ndikim si tek njerëzit si tek kafshët. Shpesh shoh që ka heshtje, por heshtja është gabimi më i madh.”
Mendon se qentë janë kthyer në problem në zona të caktuara dhe si duhet vepruar në këto momente ?
Sallçini:” Patjetër, mund të ketë probleme nuk e mohoj. Një qen endacak është shumë i ndryshëm nga një qen që ka familje. Ai qen është i keqtrajtuar dhe normalisht kur shkon ta përkëdhelësh ai stepet sepse normalisht mendon se ky do më rrahë siç më kanë rrahur të tjerët. Ka qendra trajnimi për këta qen.”