Protesta me tensione në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, policia procedon 5 persona. Banorët kërkojnë ndryshimin e projektit
Protesta që u mbajt më 31 korrik nga banorët në askin rrugor Librazhd-Elbasan, duket se ka pasur tensione. Protestuesit kanë bllokuar qarkullimin në aksin rrugor, ndërkohë që policia ka shoqëruar disa prej tyre në komisariat. Policia njofton se në lidhje me ngjarjen e djeshme, janë proceduar pesë persona për veprën penale ”Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të Paligjshme”.
”Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: A. M., 38 vjeç, S. T., 21 vjeç, E. M., 23 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe B. Rr., 36 vjeç, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të Paligjshme”, pasi ditën e djeshme, në fshatin Mirakë, kanë organizuar një manifestim të paligjshëm, me pretendimin se rruga që po bëhet nuk ka hyrje në fshat”, thuhet në njoftim.
Rruga e re Elbasan-Qafë Thanë e cila po ndërtohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar prek fshatrat e Librazhdit. Banorët protestuan pasi kërkojnë ndryshimin e projektit, sepse ky projekt ndan në mes Hotolishtin, dëmton shtëpitë dhe tokat bujqësore.