Protesta mund të jetë e kujtdo, hiq Qeverinë
Alfred Lela
Studentët ia kanë dalë që të shmangin rrezikun më të madh që i kërcënohej lëvizjes së tyre: Marrja e ”timonit” prej Organizatës Politike dhe investiturave qeveritare si FRES etj. E diela u duk, në fakt, si dita e fundit e protestës sepse grupet e ndryshme u përplasën, për ‘kuptim a vdekje’, për të siguruar një territor, jo fizik por konceptual të protestës.
Studentët e paangazhuar, ata që e kishin sefte aktivizmin, arritën, ose të paktën kështu duket, ta mbanin për vete shtjellën e protestës. Nga përplasja e Forumve rinore të partive kryesore politike dhe Organizatës Politike, përfitoi segmenti i paangazhuar politikisht. Ishte ai rasti fatlum kur amatorizmi fiton ndaj profesionalizmit. Për faktin se ky i fundit është artificial, paradoksalisht bash sepse zotëron më shumë nga teknikat e ‘revolucionit’.
Të paanagazhuarit u ndihmuan, përveçse nga gjenuiniteti dhe gjenialiteti i tyre (kreativ-lexo pankartat dh komunikimi publik), nga lufta e egër në media mes të angazhuarve. Organizata Politike dhe FRESh duket se u bënë ‘dëshmorët’ e parë të protestës.
Lufta e memeve, e mesazheve në ëhatsapp, e statuseve të vjetra në Facebook, e angazhimeve të hapura politike në krah të njerëzve të pushtetit, i bënë studentët e afërt apo aktivistë të FRESh, të dukeshin po aq të vjetër sa sistemi të cilin kishin dalë për të kundërshtuar të paangazhuarit. Kjo qe skarcoja e parë e ‘revoucionit’ shoqëruar nga e dyta, Organizata Politike. Ngulmimi për të mbajtur jashtë popullin, dmth protestuesit e Astirit dhe mbështetësit e mosshembjes së Teatrit Kombëtar, treguan një fytyrë dhe zemër hipokrite të ‘komunistëve të rinj’. Askush nuk mund të jetë më ‘popull’ se atij të cilit i shembet shtëpia dhe hidhet në rrugë mu në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Nëse nuk është ky populli të cilin komunizmi duhet të mbrojë, cili është atëherë?!
Ndodhi diçka me sa duket, që shpjegohet nga intuita e subkoshiencës. Publiku dhe studentët me këtë instinkt e kapën atë se, protesta mund të jetë e kujtdo, përjashto qeverinë. Studentët këtë bënë, skarcuan segmentet e sponsorizuara nga ata kundër të cilëve dolën në shesh, dhe që përbëjnë thelbin e sistemit. Poshtërimi i këtij refuzimi u kap nga qeveria dhe kundërsulmi u shfaq të martën pasdite dhe do të vijojë varg e vistër në ditët vijuese. Përpjekja do të jetë që protesta të banalizohet, duke ia hedhur në prehër opozitës, apo duke lexuar te çdo lëvizje e studentëve një investim opozitar.
Deri më tani shefi i opozitës, Basha, është treguar inteligjent në raport me protestën. Ai ka thënë se e mbështet duke e cilësuar një ‘mrekulli’, por ‘nuk ndërhyjmë’. Eshtë tjetër gjë nëse ‘populli opozitar’ takohet me magmën studentore. Sigurisht, nëse kjo nuk ndodh natyrshëm, publiku dhe studentët do ta kapë artificialitetin, me të njëjtën intuitë si të OP, dhe opozita do të jetë skarcoja e dytë.
Por, rreziku i madh ka kaluar. Protesta tani mund të jetë e kujtdo, sa kohë nuk mund të jetë e qeverisë. Sepse, qëllimi i protestës ka qenë pikërisht anti-qeveritarizmi. Protestë anti-opozitare nuk ka patur e nuk mund të ketë. Kjo mjafton për të parë çdo alkimi të ardhshme si të natyrës së të mundshmes dhe si gjendje të së natyrshmes. /Politiko.al/
KOHA JONË SONDAZH

