Protesta në udhëkryq: parti politike apo dhunë?

Protesta qytetare para Kryeministrisë ka mbërritur në një pikë vendimtare. Pas muajsh në shesh, ajo duhet të vendosë se çfarë kërkon të bëhet: një alternativë politike apo një lëvizje që kërkon ndryshimin përmes forcës.

Ngjarjet e mbrëmshme, kur pati përplasje me policinë dhe tentativa për të hyrë me forcë në Kryeministri, duhet të shërbejnë si alarm për organizatorët. Sepse dhuna mund të zhbëjë brenda një nate atë kapital qytetar që protesta ka krijuar prej muajsh.

Në shesh ka njerëz të pakënaqur me qeverinë, qytetarë që kërkojnë drejtësi, pronarë, ambientalistë, të rinj dhe njerëz që mendojnë se Edi Rama duhet të largohet. Kjo pakënaqësi është legjitime dhe duhet dëgjuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por Kryeministria nuk merret me forcë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe sikur protestuesit të hynin në zyrën e kryeministrit, çfarë do të ndodhte të nesërmen? Kush do ta drejtonte vendin? Kush do të merrte përgjegjësinë? Cili do të ishte programi ekonomik dhe politik?

Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjet dot rruga. U përgjigjet politika. Nëse drejtuesit e protestës besojnë se kanë mbështetje të madhe qytetare, atëherë duhet të mendojnë seriozisht për krijimin e një lëvizjeje apo partie politike.

Le të ndërtojnë programin, të zgjedhin drejtuesit, të paraqesin kandidatët dhe të kërkojnë votën e shqiptarëve. Sepse është shumë më e vështirë të fitosh kutinë e votimit sesa të mbushësh një shesh.

Dhuna, përkundrazi, është rruga më e shkurtër për ta dëmtuar protestën. Ajo largon qytetarët paqësorë dhe i jep qeverisë mundësinë ta zhvendosë debatin nga arsyet e pakënaqësisë te rendi publik. Madje, nëse protesta radikalizohet, dhuna mund të shndërrohet paradoksalisht në aleatin më të mirë politik të Edi Ramës.

Edhe policia, nga ana tjetër, duhet të tregojë përmbajtje. Çdo tejkalim i forcës duhet hetuar dhe askush me uniformë nuk mund të jetë mbi ligjin. Por drejtuesit e protestës kanë sot përgjegjësinë kryesore për të përcaktuar se ku po e çojnë lëvizjen.

Shqipëria ka parë mjaft dhunë politike. Nuk ka nevojë për një tjetër betejë për dyert e Kryeministrisë. Nëse protesta mendon se përfaqëson shumicën, le ta provojë. Le të kthejë zemërimin në program, protestuesin në votues dhe sheshin në alternativë politike.

Sepse qeveritë demokratike nuk rrëzohen duke pushtuar godinat. Ato ndryshohen me votë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?