Protesta te “Astiri”, banorët janë në të drejtën e tyre që ua dha shteti postkomunist

Më erdhi keq sot dhe dje tek pashë statuse dhe komente nga më të çuditshme në rrjetet sociale nga miq, intelektualë, gazetarë, njerëz, të cilët vijnë nga background-e të ndryshme e mjaft të suksesshme, të cilët mbajtën një qëndrim krejt negativ në lidhje me protestën e zhvilluar prej ditësh në Tiranë. Më erdhi keq gjithashtu, se si asnjëri nga të sipërpërmendurit nuk reflektoi mbi faktorët Historik, Politik, Ekonomik e Social kur u zhvillua kjo lëvizje masive. Derdhën lumenj vreri e mllefi, kush e kush të mburrej e të tregonte se ishin qytetarë të denjë për një Tiranë kozmopolite, pa marrë parasysh arsyet e këtyre qytetarëve fatkeq, të cilët morën përsipër riskun e kësaj lëvizjeje. Nuk jam analiste dhe as i përkas fushës së gazetarisë, që të ndikoj mbi masat. Jam thjesht një qytetare, që do doja të hapja një “dritare reflektimi” mbi arsyet e këtij migrimi masiv sado pak i drejtë (apo i saktë) qoftë ky këndvështrim, për të gjithë ata miq, intelektualë apo gazetarë, të cilët si ikona publike në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, ndikojnë tek masat nëpërmjet qëndrimeve të tyre, virale ose jo.

Faktori i parë, ai më minimalisti, është faktori historik, ku do të ndalem vetëm në dy momente në mes shumë të tjerave:

(a) përmbysja e sistemit totalitar, e cila në memorien e njerëzve u manifestua si “liri dhe barazi” për të gjitha shtresat shoqërore, të cilat nuk patën gëzuar të gjitha ato “liri”, apo “të mira” që i gëzonte Tirana “kozmopolite” para ‘90-ës.

Swiss Digital Desktop Reklama

(b) Viti i 1997. Ky vit i mbrapshtë në shumë qytete të ndryshme, u tregua më i egër krahasuar me kryeqytetin tonë të dashur. Vlora, Shkodra, Tropoja, Berati, Durrësi, Burreli, apo Lushnja qenë disa nga qytetet në të cilat ngjarjet e kësaj periudhe lanë shenjat e tyre më të shëmtuara, dhe për pasojë një pjesë e madhe e këtyre qytetarëve zgjodhën të largoheshin nga qytetet e tyre, pikërisht gjatë kësaj kohe.

Swiss Digital Mobile Reklama

Faktori i dytë, ai Social, është po aq i rëndësishëm dhe lidhet ngushtë me faktorin historik. Edhe tek ky faktor do të doja të prekja vetëm dy fenomene:

(a) fenomenin e hasmërisë dhe

(b) tendencën masive të popullit për të përmbysur (thyer) utopitë e trashëguara nga rendi komunist si dhe për të fituar një pozicionim të ri individual në rangun shoqëror.

Dalja nga sistemi totalitar, ngjalli tek një pjesë e njerëzve të gjitha ato dëshira të shtypura, inate e mëri, që njerëzit i kishin mbajtur ndër dhëmbë për pesëdhjetë vite me radhë dhe bëhet fjalë për fenomenin e hasmërisë. Krejt papritur, ato shtypje ndjenjash kanunore me rrënimin e sistemit komunist, u ringjallën duke krijuar sërish “kullat e tyre zakonore”, madje këtë herë edhe më të ashpra se kurrë më parë, sidomos pas vitit të mbrapshtë (1997), ku pleksen dhe hasmëri të krijuara për herë të parë edhe në zonat, në të cilat kanuni thuajse nuk kishte pasur fare ndikim. Në këtë mënyrë, një pjesë e të prekurve nga ky fenomen i rilindur për së dyti herë gjatë viteve ‘90, e i përforcuar në “97-ën, i detyron këta qytetarë, të lënë vendin ku banonin për të gjetur “strehë” në Tiranë, në metropolin ku rrihte zemra ekonomike e gjithë Shqipërisë. Element tjetër në këtë kategori (faktor), do të përmendja të drejtën themelore qytetare të të gjithë atyre të internuarve, për të jetuar me të drejta të plota e të barabarta në mes të të gjithë qytetarëve qofshin ata të “përzgjedhurit” e Tiranës, apo të qyteteve të tjera.

Utopia komuniste kishte ngrirë në kallëpet e saj sado “socialiste”, pozicionimin klasor të secilës shtresë, qoftë ajo intelektuale apo punëtore, apo sipas ndarjes territoriale e gjeografike në, qytetarë apo fshatarë. Pavarësisht se theksohej barazia e klasave dhe teorikisht duhet të ishin njëlloj, brenda vetes, pra brenda këtyre ndarjeve, ekzistonin diferenca (psh. dihet që qyteti jetonte më mirë ekonomikisht sesa fshati, intelektuali në disa aspekte jetësore, ishte më i privilegjuar se punëtori etj.). Pakënaqësitë e lindura në heshtje për rreth pesë dhjetëvjeçarëve kundër kësaj utopie, shtoi dëshirën e këtyre njerëzve për të ripozicionuar veten e tyre në një nivel (apo një shkallë) më lart social(e). Ky fenomen duket qartë, menjëherë pas viteve ’90-të, periudhë kjo, që shpalos etjen e madhe të të gjithë shqiptarëve, për të kryer studimet universitare. Ky fenomen ndodh si manifestim i të gjitha dëshirave të shtypura të këtyre qytetarëve nga sistemi i mëparshëm, duke e shprehur atë në formën e etjes për dije, që kishte si rezultat (pasojë) një pozicionim të ri të këtij brezi të dytë në shkallën sociale, dmth dëshira për t’u bërë mjekë, juristë, ekonomistë etj., nga punëtorë të thjeshtë apo fermerë, që mund të kishin qenë familjarët e tyre gjatë komunizmit. Dihet gjerësisht se elementi i shkollimit qe i ndaluar për një pjesë të popullsisë gjatë periudhës komuniste, kryesisht tek të internuarit, ose në familjet me shumë fëmijë, tek të cilët, vetëm dy – tre fëmijë mund të kishin të drejtën e arsimit të lartë.

E gjithë kjo lëvizje masive, e cila kristalizohet në një moment historik të caktuar, e thënë ndryshe, gjatë një periudhe të frikshme tranzicioni, mbështetet fuqimisht nga faktori politik i kohës, i cili përbën hallkën kyçe ndërmjet dy faktorëve të sipërpërmendur, atij historik e social! Nëse shteti nuk do të donte të ndodhte kjo lëvizje masive, që këta qytetarë të migronin, kategorikisht nuk mundej të realizohej, ashtu siç nuk u lejua për 50-vite me radhë, të lëvizje një rrënjë molle nga njëri cep i bahçes, në cepin tjetër pa marrë leje në institucionet përkatëse. Pra, ishte politika e shtetit ajo, e cila i lejoi dhe u dha shkasë e shpresë këtyre qytetarëve për të ndërmarrë këtë vendim, i cili kishte karakter sa social po aq dhe ekonomik. Këta taksapagues “zaptues” nuk “morën hunjtë në krah” e as patën guximin e tepruar, për të zaptuar tokat e “pronarëve fiktiv”, të cilët, u paguan nga qytetarët me një çmim të caktuar, për prona, të cilat qenë në thelb prona shtetërore.

Faktori i katërt, që nuk duhet ta kishin anashkaluar, është ai ekonomik, i cili përmbyll njëkohësisht dhe qarkun e fenomeneve zinxhir të lartpërmendura! Tirana si kryeqytet, ka qenë dhe mbetet qyteti i shanseve të mëdha në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë. Duke qenë se njerëzit vinin nga një sistem të egër komunist totalitar, me prapambetje të theksuar ekonomike, kërkuan kushte mbijetese, të cilat për rrethanat historike të kohës i ofronte qyteti i Tiranës dhe i Durrësit. Me rënien e shtetit komunist, u tronditën ato pak baza ekonomike që ekzistonin. U prishën fabrika, uzina, ferma dhe këta njerëz “uzurpatorë” krejt papritur u gjendën në rrugë. Mbetën pa punë, pa asnjë lloj shprese për mbijetesë. Shteti në këtë rast, për t’i ardhur në ndihmë qytetarit nëpërmjet platformës së saj politike (e gabuar apo jo do ta tregojë koha, mund ta gjykojnë historianët apo analistët), bëri syrin qorr dhe veshin shurdh duke lejuar kështu të realizohej kjo lëvizje masive.

Do t’i këshilloja këta miq e dashamirës, të cilët karakterizohen nga një botëkuptim perceptiv më të gjerë sesa masat, se nuk duhen parë gjërat vetëm Bardhë e Zi! As të dëgjoj e të lexoj tek shprehen “Mirë t’u bëhet! Nuk u tha njeri të zaptonin tokat!”, pasi secili nga ne, ndoshta dhe ju nesër të cilët sot jeni të legalizuar, mund t’ju bjerë për hise “vija e verdhë” dhe të gjendeni në rrugë, sepse shteti ka “plan-projekte” dhe do “të bëjë rrugë të reja” me shuma marramendëse e me kompensime qesharake (qira për tre vite). Jam absolutisht pro formalitetit dhe politikave të shtetit, për të vënë dorë mbi këtë informalitet të krijuar prej më shumë se çerek shekulli, por shteti nga ana tjetër nëpërmjet politikave të saj (sigurimit të një banesë tjetër për këta qytetarë brenda Tiranës) duhet të dijë të mbrojë interesat e qytetarit të tij në radhë të parë! Duhet të ketë së pari karakter social dhe pastaj të mbështesë interesat e tij, qoftë në planin politik (kam parasysh deklaratat e z. Kryeministër në fushatën zgjedhore për legalizimin e pronave së këtyre “zaptuesve” ), qoftë në atë ekonomik!

Në këtë rast, me plot gojën e them dhe pa m’u dridhur qerpiku: ata kanë të drejtën absolute, të drejtë të cilën ky shtet ua dha para afro 30 viteve, të “mbrojnë shtëpitë e tyre”!!!

Letra në redaksinë e gazetës nga Saimira Gjapi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?