Protesta të premten para Bashkisë Tiranë, Berisha: Ftoj të gjitha forcat politike të vijnë në…

Sali Berisha nga dritarja e banesës, i bëri thirrje të gjitha forcave politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejën që nis nga dyert e Bashkisë së Tiranës.

”Sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies. Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj. E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj.

Të dashur miq! Beteja për çlirimin e bashkisë është betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ftoj çdo qytetar, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo opozitar të mendojë se çdo të thotë për të nesërmen e tij. Se ç’do të thotë për të nesërmen e fëmijëve të tij.

Se ç’do të thotë për të nesërmen e shoqërisë shqiptare, kombit dhe Shqipërisë. Në rast se me fuqinë tonë nuk kapim për zverku të nxjerrim jashtë bashkie, kryehajdutin, kryehorrin e Tiranës. Demokrate e demokratë, kjo është betejë vendimtare. Kjo betejë nuk mund të humbet”,-tha Berisha.

SHKARKO APP