Protestë e nxënësve në Sarandë pas sulmit me thikë në shkollë: “Nuk u ndërhy në kohë”

Nxënës të gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë zhvilluar një protestë para ambienteve të Komisariatit të Policisë në Delvinë, pas një incidenti të rëndë që ndodhi në shkollën e tyre dhe që përfundoi me plagosjen e një nxënësi me thikë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim dhe reagim të fortë mes nxënësve, të cilët kërkojnë më shumë siguri dhe reagim nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tyre, konflikti ka nisur fillimisht brenda ambienteve të shkollës mes dy nxënësve dhe më pas është përshkallëzuar pasi ata janë larguar nga mjediset e saj. Përplasja përfundoi me përdorimin e një thike, ku njëri prej të rinjve mbeti i plagosur në zonën e shpatullës. Pas këtij incidenti, nxënësit vendosën të reagojnë publikisht, duke u mbledhur përpara komisariatit për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre.

Protestuesit pretendojnë se situata problematike në shkollë nuk është e re. Sipas tyre, raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në drejtori, por nuk janë marrë masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve mes nxënësve. Ata thonë se një prej të përfshirëve në ngjarje kishte shfaqur më herët sjellje problematike, por pavarësisht kësaj, institucionet e shkollës nuk kanë ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nxënësit gjithashtu pretendojnë se prindërit nuk janë njoftuar për atë që ndodhi dhe se nxënësi i përfshirë në konflikt është lejuar të largohet nga shkolla para përfundimit të orarit mësimor. Sipas tyre, ai është larguar që në orën e pestë, ndërkohë që procesi mësimor në gjimnaz zhvillohet me gjashtë orë mësimi. Kjo situatë, sipas nxënësve, tregon se drejtoria e shkollës nuk ka vepruar në mënyrën e duhur për menaxhimin e rasteve të tilla.

Swiss Digital Mobile Reklama

Protestuesit theksojnë se tolerimi i sjelljeve problematike dhe mungesa e masave parandaluese kanë krijuar një klimë pasigurie në shkollë. Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të hetojnë plotësisht ngjarjen dhe të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke theksuar se neglizhimi i problemeve të tilla mund të çojë në pasoja edhe më serioze në të ardhmen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?