Protestë kundër projektit të ujësjellësit, banorët në Maqellarë akuzojnë policinë: Na dhunuan
Banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të bashkisë për Maqellarën. Ndërkohë tri ditë më parë banorët theksojnë se policia i ka larguar forcërisht, duke tentuar të shuajë protestën.
Banorët akuzojnë uniformat blu se janë dhunuar, ndërsa tregojnë se kanë përfunduar edhe në spital. Një prej tyre është edhe 65-vjeçarja Meliha Meta, e cila tregon se teksa po kundërshtonte policinë është rrëzuar dhe turma e ka shkelur me këmbë. Si pasojë e lëndimeve ajo ka marrë trajtim mjekësor në spitalin e Dibrës, pasi ka dëmtuar këmbën e majtë.
Banorët insistojnë që të mos preken burimet ujore të fshatit të tyre, pasi ato nuk mjaftojnë për nevojat e fshatit e jo më të dërgohen në fshatrat e tjerë. Për të pushteti vendor nuk ka bërë asnjë konsultim publik për projektin, duke hedhur hije dyshimi për të.