Protestë me këmborë në Dibër, blegtorët para Prefekturës për mungesën e subvencioneve
Dhjetra blegtorë dibranë zhvilluan një protestë para prefekturës së qarkut për mungesën e subvencioneve. Ata u ranë këmborëve të bagëtive që rrisin, si simbolikë për të kërkuar vëmendje për problemin, ndërsa në vijim paralajmëruan përshkallëzim të protestave.
Blegtorët e Dibrës i ranë këmborëve të bagëtive në një protestë simbolike për subvencionet sipas tyre të mohuara.
Të mbledhur para prefekturës, ata kërkuan paratë e premtuara për vitin 2017 që thonë se nuk i kanë marrë, ndërsa për 2018 thonë se nuk i kanë plotësuar dokumentat.
“Nëqoftëse nuk na japin subvencionet për 2017, ne për këtë vit nuk do të aplikojmë fare”.
Por ky është vetëm hapi i parë i protestës, pasi në vijim ata paralajmërojnë se do të sjellin në protestë bagëtitë dhe do të derdhin qindra litra qumësht që prodhojnë çdo ditë.
“Nesër do të marrim bidonat e qumështit dhe do ti derdhim këtu, pasnesër do të marrim blegtorinë, 200 dele kam vetëm unë”.
Ata shprehen të zhgënjyer, ndërsa perifrazojnë zotimin e qeverisë së zhvillimi i blegtorisë është mes prioriteteve, ndaj kërkojnë zgjidhje brenda 2 javëve.
“Jam me numër NIPT-i, jam me kartë fermeri, unë llogaritem si një qytetar i thjeshtë, e marr naftën si ai që merr 5 litra si unë që marr 1000 litra”.
“Lekët i marrin, i kanë shitur në Maqedoni ilaçet e Shqipërisë”.
E pyetur nga Ora News, Ministria e Bujqësisë pranoi problematikat nga burokracia deri tek mosprezantimi i projekteve konkuruese, ndërsa ka premtuar se nga 28 shkurti me ndryshimin e aplikimit për subvencionet do të ketë një përmirësim.
KOHA JONË SONDAZH

