Protestë në Kosovë në mbështetje të Ukrainës, presidentja Osmani: Krimineli i luftës, diktatori Putin duhet dënuar
Edhe Kosova i bashkohet protestave mbarë botërore që po bëhen kundër luftës ruse në Ukrainë. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë të huaj dhe qytetarë morën pjesë në një protestë në sheshin qendror të Prishtinës, për t’u solidarizuar me Ukrainën, që po përballet me agresionin rus që nga 24 shkurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pamjet e luftës në Ukrainë nuk janë të panjohura për Kosovën dhe ato rikthejnë kujtimet e plagëve të luftës së vitit 1999.
“Prandaj edhe i jemi bashkuar botës demokratike, u jemi bashkuar aleatëve tanë, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar, do të bashkojmë zërat dhe veprimet tona sikur kemi bërë deri tani dhe jam e bindur që sikur në rastin e Kosovës në vitin 1999, edhe tani në Ukrainë në vitin 2022, do të triumfojë liria dhe demokracia”.
“Ndaloni Putinin, ndaloni luftën”, “Paqe për Ukrainën” dhe “Bota ka parë mjaftueshëm luftëra”, ishin disa prej pankartave që mbanin në duar pjesëmarrësit.