Protestë nga banorët në Spitallë kundër Bashkisë së Durrësit: Punimet për kolektorin janë ndërprerë prej disa muajsh
Banorë të Spitallës kanë dalë këtë të shtunë në protestë, duke kërkuar përfundimin e punimeve për kolektorin e ujërave të shiut. Banorët shprehen të shqetësuar se, me afrimin e vjeshtës dhe reshjeve, zona mund të përballet sërish me përmbytje.
Projekti është parashikuar për të sistemuar ujërat që zbresin nga kodrat dhe për të shmangur grumbullimin e tyre pranë banesave, një problem që prej vitesh prek familjet e kësaj zone gjatë muajve të dimrit.
Punimet për kolektorin nisën rreth një vit e gjysmë më parë, por sipas banorëve ato janë ndërprerë pa përfunduar lidhjen e tubacionit me kanalin përgjatë rrugës. Ata thonë se nga Bashkia e Durrësit kanë marrë premtime se ndërhyrja do të vijojë, por deri tani nuk është kryer asnjë punim i ri.
Ata ngritën edhe shqetësime të tjera që lidhen me kushtet e jetesës në Lagjen nr. 15, ku pas viteve ’90 janë vendosur rreth 400 familje. Përveç rrezikut të përmbytjeve, ata kërkojnë më shumë hapësira sportive dhe argëtuese për fëmijët.
Një tjetër problem i evidentuar prej tyre është edhe gjendja e rrugës së asfaltuar. Banorët pretendojnë se rruga ka nisur të deformohet brenda pak muajsh nga përfundimi i punimeve, duke e lidhur dëmtimin me cilësinë e dobët të ndërhyrjes.
KOHA JONË SONDAZH

