PS-ja e Shkodrës letër ankese Ramës për Edona Bilalin: Po bën gjueti shtrigash
Edona Bilali në zgjedhjet e 25 prillit mori mbi 2700 vota, të cilat janë pak për të fituar mandatin e deputetit, por ajo e fitoi pasi ishte e para në listën e PS-së për qarkun e Shkodrës. Zgjedhja e saj si deputete dhe besimi që ajo ka marrë nga kryeministri Edi Rama ka trazuar ujërat e socialistëve të Shkodrës.
Një grup prej tyre i kanë nisur një letër kryeministrit, sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla, kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ambasadores Kim, ku dënojnë ashpër veprimet e deputetes së zgjedhur dhe aleatit Tom Doshi. Grupi i socialistëve shkodranë pretendojnë se Bilali e Doshi po pushojnë njerëz nga puna për të punësuar të afërmit e tyre.
“Na del një Edona Bilali pa marrë mandatin kërkon të zhbëjë PS-në në Shkodër, të hedhë në kosh punën e sakrificat e brezave që e mbajtën gjallë këtë organizëm në një qytet gjoja antikomunist, por që është peng i oligarkëve të krimit që gjoja janë bërë “zoti”. Kjo Edona që mori diku 1000 vota, së bashku me Tom Doshin po ndiejnë thelat e pushtetit duke bërë reprezalje në administratë e drejtues socialistë. Tom Doshi po shfrytëzon me dinakëri egon e një çupëline të pamësuar me punët e politikës”.