PS-ja fut duart në Reformën në Drejtësi në mënyrë të njëanshme. Pse heshtin ambasadorët e huaj?
-Partia Socialiste ka bërë fakt të kryer prekjen e njëanshme të reformës në drejtësi. Dje në Komisionin e Ligjeve janë prezantuar 6 projektligje që prekin një pjesë të mirë të reformës konsensuale që u miratua në vitin 2016 me 140 deputetë.
-Të fusësh duart te Reforma në Drejtësi, një muaj para zgjedhjeve, tregon frikën që ka pushteti i sotëm për pas 25 prillit, ndaj ambasadorët e huaj perëndimor duhet të flasin. Me një parlament dhe pa opozitë formale, pasi disa deputetë gjoja të “opozitës” Kryeministri i ka futur në listën e kandidatëve të PS, pra të guxosh ndryshimin e ligjeve në Drejtësi një muaj para zgjedhjeve është jo vetëm antikushtetutese, porse edhe kriminale.
Partia Socialiste ka bërë fakt të kryer prekjen e njëanshme të reformës në drejtësi. Dje në Komisionin e Ligjeve janë prezantuar 6 projektligje që prekin një pjesë të mirë të reformës konsensuale që u miratua në vitin 2016 me 140 deputetë. Projektet ligjore janë prezantuar nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe nga deputetët e Partisë Socialiste. Në prezantimin e projektligjeve socialistët thonë se kërkesa për ndryshime ligjore ka ardhur nga vetë deputetët e PS. Pra, kërkesa për të prekur ligjet e reformës në drejtësi nuk ka ardhur si qëndrim i ndërkombëtarëve dhe as si qëndrim i institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat mund të kishin rezerva për ligjet që janë në fuqi. Ndryshimet po bëhen nga PS dhe vetëm duke u bazuar në interesat politike që nuk lidhen me drejtësinë. Konkretisht draftet e depozituara në Kuvend prekin një sërë ligjesh, ndryshimi i të cilëve bëhet me shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend, ndaj dhe kjo është arsyeja e nxitimit të Edi Ramës për t’i miratuar brenda këtij mandati. Kështu në Kuvend janë depozituar projektligjet për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale; ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë; Kodit të Procedurës Civile; Kodit Penal; Ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese; Ligjit për Organizimin e pushtetit gjyqësor; Ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; si dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore.
Ministrja Gjonaj dhe kreu i Komisionit të Ligjeve thanë se ndryshimet ligjore do të kalojnë me konsensus politik dhe kjo shpreh, sipas tyre, gatishmërinë e Kuvendit për të vijuar me reformën në drejtësi. Pikërisht në këtë pikë nis dhe kontradikta më e madhe. Reforma u miratua më konsensus mes qeverisë dhe opozitës në vitin 2016 dhe ishin të vetmet ligje që morën 140 vota. Prekja e këtyre ligjeve sot nga PS është një akt antiligjor nisur nga përbërja e sotme e Kuvendit. Pa i hyrë fare debatit se çfarë përmbajnë ligjet e fundit të PS, Kuvendi i sotëm nuk ka legjitimitet moral për të ndryshuar asnjë nen të reformës në drejtësi. Realisht, Parlamenti nuk ka opozitë, pasi ata që morën mandatet në pjesën më të madhe janë kandidatë për deputetë të PS. Shumica e deputetëve që thanë se hynë në Kuvend për të shpëtuar Republikën, shpëtuan vetëm mandatin e qeverisë dhe kryeministri Edi Rama u ka dhënë si shpërblim ndonjë vend në listat e kandidatëve të PS. Për votimin e këtyre ligjeve nuk ka kuptim fjala konsensus, pasi Kuvendi nuk ka as formalisht opozitë. Ndryshimet po bëhen pak ditë para zgjedhjeve dhe vënë në pikëpyetje gjithë investimin ndërkombëtar për këtë reformë. PS ka vendosur që ligjet të hyjnë në votim brenda datës 9 prill. Sot jemi 37 ditë larg datës së zgjedhjeve dhe nxitimi për të diskutuar ligje kaq të rëndësishëm në mes të fushatës zgjedhore, tregon se PS po minon gjithë reformën. Justifikimet e socialistëve se po ndryshohen ligje që kanë të bëjnë me pagat dhe shpërblimet e njerëzve të drejtësisë janë vetëm sa për të fshehur qëllime reale të prekjes së reformës. Qeveria po kërkon të vendosë në kontroll të plotë sistemin e drejtësisë duke parashikuar dhe atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve me humbjen e pushtetit nga Rilindja. Në Komisionin e Ligjeve deputetët ë PS përfshinë dhe ndërkombëtarët si pjesë të këtij skenari duke thënë se kishin marrë dakordësinë e tyre për këto ndryshime. Por nëse ndryshimet ligjore janë hartuar vetëm nga disa deputetë të PS, si Ulsi Manja, Adnor Shamenti dhe Alket Hyseni, si e kanë dhënë dakordësinë ndërkombëtarët, kur nuk janë informuar zyrtarisht. Ambasadorët e BE dhe SHBA që kanë marrë përsipër zbatimin e kësaj reforme, janë në kohë të flasin për masakrën ligjore që po bën PS me ligjet.
Duhet të flasin pasi PS dhe Rama po i keqpërdor ata në lidhje me këto ndryshime, të cilat kanë interes politik për Rilindjen e jo për vendin.
Mili Xhani