PS krah Xhaçkës, PD drejt ankimit në Kushtetuese
PS-ja i cilëson të pabazuara në prova pretendimet e PD-së, e cila kërkon ndërprerjen e mandatit parlamentar të ministres së Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Kurse demokratët në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, thanë se pavarësisht votave kundër të socialistëve, do ta çojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Demokratët e Enkelejd Alibeajt kishin një qasje tjetër, ku gjatë prezantimit të raportit insituan se bashkëshorti i Ministres së Jashtme ka përfituar nga pasuritë publike, e për rrjedhojë, edhe ajo vetë, sipas parashikimeve të Kodit të Familjes. Nëse kjo do të vërtetohej, do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin e mandatit të saj.
Të njëjtën kërkesë për ndërprerjen e mandatit të Xhaçkës kishte depozituar në Kuvend edhe grupimi i Berishës. Këshilli i Rregullores dhe Mandateve i trajtoi ato si të unifikuara, ashtu siç pritet të jetë edhe vota e dy grupimeve në seancë plenare.