PS kundër SHBA, Gjiknuri: Po të hapim lojën e sistemit shpërbejmë Kushtetutën

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri deklaroi sot në Kuvend se ndryshimi i sistemit zgjedhor do të sillte shpërbërjen e Kushtetutës. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Gjiknuri tha se “po të hapim lojën e sistemit do të ndryshojmë gjithë themelet e republikës”.

Gjiknuri ju përgjigj Lulzim Bashës, por deklarata e deputetit të PS-së është dhe një përgjigje direkte ndaj Ambasadës së SHBA-së, e cila ka propozuar ndryshim sistemi zgjedhor, sipas modelit danez.

“Ndryshimi i sistemit nuk mund të zgjidhet tani. Nuk zgjidhet kur gjysma e elektoratit është në rrugë dhe thotë do të bllokoj. Nuk zgjidhet, do klimë te qetë politike kjo çështje. Bëhet fjalë për themelet e republikës sonë. Dikush do të thotë, po si e bëtë ju në 2008? Atëherë pati një konsensus të gjerë nga forcat kryesore politike. Nëse sot ka konsensus të gjerë, hajd ta eksplorojmë dhe këtë, por të gjithë ata që na dëgjojnë duhet ta marrin parasysh, po u prek ajo do të hapet loja me të gjithë temat që unë fola. Pra, të gjithë raportet e institucioneve të tjera, karshi parlamentit dhe elektoratit. Kështu që ju lutem mos e ktheni sistemin në listën e dëshirave. Sistemi janë themelet e republikës sonë e cila nuk bëhet me koka të nxehta, po do paqe dhe mirëkuptim. Nëse duan le të miratojmë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe me vonë, kur të kemi kulturën e pranimit të rezultatit të diskutojmë”,- deklaroi Damian Gjiknuri.

Deklarata e bashkëkryetarit të reformës zgjedhore, në një farë mënyrë ka rrëzuar dhe propozimin e Ambasadës së SHBA.

SHKARKO APP