PS në vit zgjedhor, garë e fortë brenda partisë
Partia Socialiste, parti në pushtet që prej vitit 2013, është në vit zgjedhor dhe strukturat po përgatiten për procesin nga i cili do të dalin drejtuesit e rinj të degëve në të gjithë vendin, por edhe anëtarët e rinj të Asamblesë e Kryesisë.
Për këtë, kryesocialisti Edi Rama mblodhi në seli grupin e posaçëm të punës që do të angazhohet në proces, për t’i dhënë disa direktiva. Rama e ka bërë të qartë se kryetarëve të degëve që kanë dështuar me performancën në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, nuk do t’u jepet një mundësi e dytë për të drejtuar. Gjithashtu, në mbledhje janë përcaktuar afatet për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.
Në mars do të zhvillohen zgjedhje sa i përket strukturave. Në fund të marsit mund të kemi një Asamble dhe në prill do të kemi mbledhjen e Kongresit ku do të zgjidhen anëtarët e rinj. Në PS është rikthyer lufta brenda llojit, me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat që kanë nisur të lëvizin në terren, në mënyrë që të garantojnë që për Asamblenë dhe Kryesinë të votohen njerëzit e tyre të besuar.
Sa i përket mundësisë për të proceduar me një formularë vetëdeklarimi për kandidatët që do të garojnë në procesin e brendshëm zgjedhor, Rama duket se i qëndron asaj çka ka shprehur publikisht, se PS-ja nuk është prokurori dhe as gjykatë ndaj nuk do të merret me analizën e të shkuarës së anëtarëve.