PS nuk harron Metën, Ligjet diskutojnë sot dy dekretet e Presidentit

Shtetrrethimi i vendosur nga koronavirusi nuk ka ndalur përplasjet mes mazhorancës dhe Presidentit. Sot Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë dy dekretet e Kreut të Shtetit që kanë të bëjnë me ligjin anti-KÇK si dhe atë të pronave. Mësohet se në të dy rastet socialistët këmbëngulin për të mos ndryshuar nenet, duke rrëzuar vendimet.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë asnjë reagim përsa i përket shqiptarëve të bllokuar në pikat kufitare të Kapshticës, Kakavijës dhe Hanit të Hotit.

Po kjo nuk i ka ndaluar socialistët të mendojnë për rrëzimin e dekreteve të Presidentit Ilir Meta.

Sot anëtarët e Komisionit të Ligjeve do të diskutojë aktin normativ anti-KÇK të kthyer nga Kreu i Shtetit me argumentin se më këtë ligj Këshilli i Ministrave tejkalon kompetencat Kushtetuese dhe shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Gjithashtu kryetari i grupit socialist Taulant Balla pritet të “hakmerret” ndaj Ilir Metës për kthimin e ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

Sipas Presidentit kreu i grupit parlamentar ka tentuar të mbajë të fshehtë kërkesën për rihapjen e legalizimit për ndërtimet e bëra pas vitit 2014.

Madje ai shton se socialistët po kërkojnë ta përdorin politikisht këtë nismë.

Në argument, Kreut i Shtetit shton se në draft nuk ka afat për kompensimin e pronarëve që toka u merret nga ndërtimet informale, si dhe nuk ka dëmshpërblim të drejtë për banesat që shemben.

Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë të dy dekretet e Presidentit Ilir Meta do të rrëzohen nga socialistët në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancën plenare, e cila pritet të mbahet në gjysmën e dytë të muajit.

Pavarësisht se nga njëra ana kryesocialisti Rama shprehet se nuk do të merret me asnjë çështje tjetër përveç luftës ndaj COVID-19, nga ana tjetër ka urdhëruar që luftën me Presidentin ta vijojnë socialistët e tjerë.

SHKARKO APP