PS nuk heq dorë nga Alibeaj, Rithemelimi bllokon Komisionin e Zgjedhores
Dështoi edhe tentativa e dytë për ta mbledhur fizikisht komisionin e reformës zgjedhore. Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri e kishte të pamundur të çelte punimet për shkak se karrigia e tij ishte e zënë nga deputetët e opozitës, ndërsa pengesa tjetër u bë edhe mungesa e bashkëdrejtuesit tjetër demokrat.
Sërish Enkelejd Alibeaj zgjodhi të mos përballej me deputetët e partisë së tij që nuk e duan më si drejtuesin e tyre në komision. Debatet mes mazhorancës dhe opozitës zgjatën vetëm pak minuta. Gjiknuri mori socialistët e tij dhe pasi bisedoi me Alibeaj, i cili priste pak metra larg, në selinë e re të grupimit të tij, e zhvendosën mbledhjen online për të miratuar kalendarin deri në fund të marsit.
Pasi mazhoranca nuk e lëshoi Alibeajn si bashkëkryetar, i besuari i Lulzim Bashës kërkoi ndihmë kryeparlamentares socialiste, që ta mbrojë nga kolegët e vet të partisë. Në mungesë të Nikollës përgjigjen ia dha Damian Gjiknuri. Deputetët e grupit parlamentar demokrat e bënë të qartë se Enkelejd Alibeaj nuk e ka besimin e tyre dhe për këtë arsye hedhin dyshime se Lulzim Basha po bashkëpunon me PS për të bërë një reformë zgjedhore me vota konsensuale.
Mazhoranca është komode me bashkëdrejtuesin aktual të palës opozitare, ndaj nuk shfaq vullnet për ta marrë parasysh kërkesën e 47 deputetëve për të ndryshuar përbërjen e komisionit. Edhe pse bëri thirrje për gjithëpërfshirje, Gjiknuri nuk e mohoi që nëse pjesa tjetër e opozitës nuk merr pjesë në procesin e diskutimit të ligjit elektoral, mazhoranca mund ta votojë edhe me votat e Lulzim Bashës.
PS do dëgjojë propozimin e Bashës për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar, por Gjiknuri thotë që mazhoranca është e kënaqur me formulën aktuale. /A2cnn/