PS propozon ndryshimin e rregullores: Kush ndez flakadanë në Kuvend përjashtohet 2 muaj
Partia Socialiste ka kërkuar këtë të enjte të ndryshojë rregulloren e parlamentit ku në thelb janë ashpërsimi i masave disiplinore ndaj deputetëve nga 30 deri në 60 ditë.
Nëpërmjet një projektvendimi të depozituar në Kuvend, PS kërkon të jepet masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione/në seancë plenare deri në 30 ditë” në rastet si më poshtë:
a) kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës.
b) kur deputeti përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e cdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes.
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.”
Dhe masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare” deri në 60 ditë në rastet si më poshtë :
a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit / brenda mjediseve të Kuvendit;
b) kur deputeti kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal;
c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.
Për miratimin e këtyre ndryshimeve kërkohen 84 vota dhe për të arritur këtë numër është i domosdoshëm konsensusi me 7 demokratët e Bashës. Kjo nismë pritet të miratohet në seancën e javës që vjen.