PS rrëzon nismën e deputetëve të PL për sigurinë ushqimore! Xhixho: Situatë alarmante, duhet ndërhyrje
Deputetët e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi prezantuan në Komisionin e Jashtëm një nismë për sigurinë ushqimore, që synonte domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë. Sipas deputetes Xhixho, rritja e rasteve të evidentuara me ndotës kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore vendase dhe import, ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale. Pavarësisht argumenteve të prezantuara në Komision, nism u rrëzua me 8 vota të socialistëve ndërsa mori vetëm 3 vota pro. Këtë votim, në rrjetet sociale Tedi Blushi e quajti votë në favor të ushqimeve pa kontroll.
“Siguria ushqimore përbën një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së shëndetit publik dhe të sigurisë kombëtare. Rritja e vazhdueshme e rasteve të evidentuara me ndotës kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, si në prodhimin vendas ashtu edhe në import, ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale. Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen janë vetëm maja e ajsbergut.
Ato përfaqësojnë sinjalin alarmues që vjen nga autoritetet e huaja për cilësinë e produkteve që prodhohen në Shqipëri dhe që, për fat të keq, konsumohen çdo ditë nga qytetarët shqiptarë. Në shumë raste, produktet e refuzuara nga tregjet ndërkombëtare përfundojnë në tregun vendas, duke rritur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve dhe duke treguar dobësi serioze të mekanizmave të kontrollit ushqimor.
Në 2 vitet e fundit janë raportuar dhjetëra raste me produkte të kontaminuara dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Ndër rastet më të rëndësishme të evidentuara janë: Refuzimi nga Kroacia i eksportit të specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve, Mandarinat e kontaminuara të refuzuara nga Bashkimi Europian që përfunduan në tregun vendas, Konstatimi i luleshtrydheve me pesticide të ndaluara, Evidentimi në tregun shqiptar i peshkut të infektuar me parazitin Anisakis, Konstatimi i mishit të derrit dhe pulës të kontaminuar me salmonelë.
Zbulimi i akulloreve me përmbajtje të oksidit të etilenit me rrezik kancerogjen, Bllokimi i pjeshkëve shqiptare nga Kroacia për shkak të niveleve të larta të nikelit, Prania e arsenikut te buka, raportuar në media vetëm pak ditë më parë, Prania e ndotësve biologjikë, kimikë dhe metalikë në zinxhirin ushqimor, përfshirë mykotoksinat në ushqimin për kafshë dhe produktet e bulmetit, përbën një kërcënim serioz për shëndetin e popullsisë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme rregullatore”, tha në prezantimin e projektligjit deputetja Xhixho.
KOHA JONË SONDAZH

