Opinion nga Kreshnik Spahiu/Pse Basha apo Berisha s’kanë këllqe të krijojnë parti të re pa logon e PD?
Nga Kreshnik Spahiu
Sali Berisha nuk ka asnjë shanc teorik, praktik, juridik apo diplomatik që ta rimarr Partinë Demokratike. Këtë gjë e kupton Berisha dhe çdo profesionist i politikës, por sigurisht nuk e kupton turma.
Po pse Berisha po lufton në dukje pa kompromis gjoja sikur donte ta marrte Partinë Demokratike:
– e para: Berisha e konsideron PD fëmijën e tij dhe e ka të vështirë t’ia rrëmbejnë nga duart dikush tjetër.
– e dyta: Berisha kishte investuar PD-në si një organizatë militantësh që i duhej në ditën më të keqe, por çuditërisht, atë ditë ajo iu kthye në bumerang.
– e treta: Berisha investoi për Bashën 16 vjet duke i dhënë 16 poste me synimin që ai ta blente me para besnikërinë e tij, por në fund iu shpërblye me ‘tradhti’.
– e katërta: Berisha i njeh mirë avantazhet që ka logo në garë elektorale, sepse ai 30 vjet i mundi me logon e PD të gjithë kundërshtarët që i dolën kundra partisë dhe krijuan lëvizje të reja si Ceka, Ngjela, Pollo, Shehi, Topalli, Baleta, Patosi, Murrizi, Hajdari, Kalakulla. Forca e një logo është prioritare në raport me individin.
– e pesta: Berisha e di çfarë burimesh financiare, logjistike, njerëzore dhe infrastrukturore ka një parti e vjetër në raport me të renë.
– e gjashta: Berishës i duhet ta mbaj Bashën nën presion deri afër zgjedhjeve që ta copëtojë në elektorat.
Edhe Basha është kapur me thonj pas logos PD sepse çdo kush e di që ai s’ka këllqe me ba parti të re. Ai dështoj të menaxhoj partinë më të madhe që e mori qyl, prandaj s’ka asnjë shans të bëj parti të re. Lulzim Basha pa logon e PD është i vdekur politikisht dhe nuk i shkon askush mbrapa.
Ndryshe nga Albin Kurti që shiti shtëpinë për të financuar partinë, Lulzim Basha shet partinë për të pasuruar shtëpinë. Të dy, Basha dhe Berisha, e dinë fare mirë që asnjë parti e re nuk ka prespektiv në Shqipëri për shkak të sistemit.
Fundja çfarë do të ndodh nëse Berisha do garojë me parti të re në zgjedhje: Votat e Berishës do numërohen nga Basha dhe Rama sepse partia e re nuk ka të drejtën e komisionerëve. Berisha e ka humbur Partinë Demokratike dhe lufta nuk bëhet as për çelësat dhe as për selinë.
Lufta bëhet se kush do marr elektoratin demokrat: Basha apo Berisha. Historia dy dekada e dashurisë Basha-Berisha ishte shumë e fortë. Ashtu siç ndodh në çdo dashuri pa kufi, divorci vjen me dhimbje dhe pasoja. Dashurinë e ndan një fije floku nga urrejtja dhe kur e para i lë radhën të dytës, plas lufta për ndarjen e pasurisë dhe kalamajve.
Berisha dhe Basha kanë pasuri boll dhe nuk e kanë problem kush merr një seli, por si çift me shumë kalamaj, do ju duhet të luftojnë kush do marr kujdestarinë sepse e dinë mirë që në pleqëri nuk të ngelet askush në funeral përveç familjarëve.
Prandaj procesi i ndarjes së “kalamajve” do jetë me shumë pasoja dhe përplasje duke pasur parasysh që aktiviteti politik nuk mund të mbyllet me dyer të blinduara. Që të kujdesesh për kalamajtë e familjes duhet të dalësh qytet në qytet dhe fshat më fshat, rrugët e së cilave do jenë plot kurthe, ku gjakësi do jetë duke pritur hasmin……