Pse duhet mbajtur sekret Marrëveshja e vaksinave?

Kontrata më e rëndësishme që ka të bëjë direkt me jetën e qytetarëve u trajtua dje në parlament njëlloj si mbledhjet e mbyllura të Partisë Socialiste, ku vetëm Edi Rama vendos dhe ai e di se çfarë bëhet. Por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me sekrete partiake apo qeveritare, por me jetën e qytetarëve me vaksinën që do iu injektohet, ndaj qeveria, kryeministri, parlamenti dhe çdo institucion tjetër shtetëror ka detyrim ligjor të bëjë transparencën maksimale. Deri tani kjo po trajtohet si “sekret shtetror” që e di vetëm kryeministri.

Parlamenti ka miratuar dje marrëveshjen për vaksinat kundër koronavirusit me kompaninë  e prodhimit të barnave, “Pfizer”. Si rrallë herë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët kanë votuar vetëm titullin e kontratës pa lexuar asnjë rresht të përmbajtjes së saj. Detajet e marrëveshjes mes qeverisë dhe kompanisë ndërkombëtare me qendër në SHBA janë klasifikuar sekret. Nenet e kontratës, pikat që flasin për detyrimet e kompanisë apo detyrimet e qeverisë shqiptare dihen vetëm nga kryeministri Edi Rama dhe pak njerëz të tjerë. Sasia e saktë vaksinave që do të sjellë kompania zyrtarisht nuk dihet. Për këtë çështje kemi vetëm “premtimin” e Ramës që thotë se janë 500 mijë vaksina. Koha kur kompania do t’a sjellë vaksinën po ashtu është një detaj që e di vetëm Edi Rama. Çmimi i vaksinës është një tjetër detaj që asnjë prej deputetëve që ngritën dorën nuk dinë ta thonë. Mënyra e transportit, kostot e transportit dhe detajet që lidhen me sigurinë e udhëtimit të barnave janë gjithashtu sekret. Janë me mijëra pyetje që çdo qytetar normal i shtetit ka të drejtë të dijë përgjigjet, por asnjë institucion nuk jep asnjë sqarim. Qeveria e kaloi marrëveshjen si akt normativ, për të shmangur procedurën e dekretimi nga ana e kreut të shtetit nëse do të ishte ligj i zakonshëm. Deputetët, që ligjërisht kanë të drejtë të kërkojnë informacion për aktet edhe sekrete të qeverisë nuk ishin në gjendje as të ngrinin zëri dje. Socialistët votuan kokulur pa vënë në diskutim fjalën e Edi Ramës. Ndërsa ata që gjasme e quajnë vetën opozitën vetëm belbëzuan disa fjalë, por nuk bënë asnjë akt formal për t’i kërkuar Komisionit të Sigurisë apo institucioneve të tjera të drejtën për tu njohur me marrëveshjen. Marrëveshja më e rëndësishme që ka të bëjë direkt me jetën e qytetarëve, u trajtua njëlloj si mbledhjet e mbyllura të Partisë Socialiste, ku vetëm Edi Rama vendos dhe ai e di se çfarë bëhet me partinë. Por këtu nuk kemi të bëjmë me sekrete partiake dhe qeveritare, por me jetën e qytetarëve dhe qeveria, kryeministri, parlamenti dhe çdo institucion tjetër shtetëror ka detyrim ligjor të bëjë transparencën maksimale. Justifikimi se mbajtja sekret e marrëveshjes tregtare ka qenë një kërkesë e kompanisë “Pfizer” është gjysëm i vërtetë dhe po përdoret nga qeveria për të mashtruar qytetarët për gjithë kontratën. Kompania e prodhimit të vaksinave, në vende të tjera, ka kërkuar mbajtjen sekret vetëm të çmimit të vaksinës, por nuk ka vendosur kushte të tjera. Ne disa vende të BE, nga kjo kompani një vaksinë është shitur 12 euro, ndërsa në vende të tjera 15 euro. Për Shqipërinë  nuk dihet se cili është çmimi me të cilën e ka marrë qeveria “Rama”. Por çështja e çmimit është detaji më pak i rëndësishëm. Edhe sikur kostoja të ketë qenë dy fish apo më shumë për shqiptarët, kjo nuk përbënë ndonjë detaj që duhet mbajtur i fshehtë më patjetër. Problemi me kontratën për vaksinën kundër virusit është tjetër dhe qytetarët janë në të drejtën e tyre të kërkojnë informacion. Askush nuk është kundër bërjes së vaksinës në Shqipëri, por teoritë konspirative idiote që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në vende të tjera, kanë bërë që shumë njerëz të jenë dyshues për vaksinën. Qeveria “Rama”, në vend të bindte qytetarët duke treguar transparencë maksimale ushqen dhe më shumë mosbesimin e tyre duke klasifikuar si sekret tregtar një marrëveshje shumë normale mes shtetit dhe një kompanie private. Kontrata për vaksinat nuk po firmos vetëm Edi Rama, por gjithë kryeministrat e botës. Në vendet e BE dhe në Ballkan, kontratat janë publike, madje mediat lejohen të pasqyrojnë dhe procedurat sesi janë prodhuar, si transportohen dhe si funksion gjithë zinxhiri i vaksinës që do bëjnë qytetarët. Ndërkohë këtu, vaksinat vijnë në mënyrë kontrabandë si të jenë mall i vjedhur  dhe jo si produkt që po blihet me lekët e shqiptarëve.

Mënyra se si po e trajton kryeministri këtë punën e vaksinave me shumë po rrit dyshimet se sa po qetëson njerëzit.

Mili Xhani

 

 

 

SHKARKO APP