Pse kemi kaq shumë vdekje nga COVID 19? Rakacolli: Ja cfarë kemi vënë re në rastet e fundit
Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ishte e ftuara e radhës në emisionin “Real Story” në News 24.
Ajo iu përgjigj pyetjes se pse koronavirusi ka shkaktuar kaq shumë viktima në vendin tonë, duke sqaruar një dukuri të re, të vënë vënë re në vdekjet e fundit, që koronavirusi nuk dëmtonte vetëm mushkëritë e pacientëve, por edhe muskulin e zemrës, apo enët e gjakut.
“Për ne mjekët edhe 1 vdekje do të thotë shumë ne nuk shohim numrat, por njerëzit. Sëmundja e koronavirusit është një sëmundje e re, akoma e panjohur mirë dhe si e tillë nuk zhvillohet njësoj në të gjithë njerëzit. Për të gjetur shkakun e vdekjes është autopsia, por unë di t’ju them që shumica e viktimave ka pasur edhe sëmundje të tjera bashkëngjitëse. Nga ana tjetër ka pasur mes viktimave edhe njerëz në moshë të re pa patologji bashkëshoqëruese. Koronavirusi ende nuk është njohur. Në rastet e fundit kemi kuptuar që ka ndodhur që dëmton muskulin e zemrës, ka dhënë dëmtime të enëve të gjakut duke dhënë mikrotromboza”,– tha ajo.
Rakacolli shtoi se mjekët shqiptarë janë të përgatitur dhe po shërbejnë me përkushtim.
“Ekipi ynë reanimator është i përgatitur para se të niste epidemia, ata pacientë që janë të shtruar nuk kanë vetëm mjekët e Infektivit por edhe grupet e reanimatorëve, që i ndjekin edhe on line”,- shtoi ajo.