Pse nuk kandiduat në zgjedhje? Halimi: Do jap kontributin tim në PD, njerëzit janë lodhur nga keq-qeverisja
Koordinatori i Posaçëm Politik në Partinë Demokratike Eduard Halimi, i ftuar në emisionin “Front line” nga Marsela Karapanço, u pyet se përse nuk ka kandiduar për deputet në këto zgjedhje.
Halimi theksoi se do të japë të gjithë kontributin e tij në PD, duke shtuar se pas 25 prillit, shqiptarët do kenë kryeministër normal si Basha, pasi janë lodhur nga keq-qeverisja.
“Ftesa ka qenë që të jem drejtues në një nga qarqet e vendit. Jam në një moment të jetës sime, duke i dhënë PD-së gjithë kontributin tim, pa qenë nevoja për të qenë deputet. Kjo ishte përgjigja ime dhe nuk refuzova atë që mu tha nga familja ime politike.
I kam borxh familjes time politike dhe do i shërbej, pa qenë pjesë e deputetëve. Unë mendoj se njerëzit dalin në rrugë në fushatën e PD-së, sepse duan ndryshim. Lulzim Basha do jetë kryeministër normal, sepse njerëzit janë lodhur nga keq-qeverisja”, u shpreh Halimi.
Halimi ka prezantuar gjithashtu një libër të shkruar prej tij, me titullin “Të bëhesh jurist i mirë”.
Halimi thekson se libri është për studentët dhe profesionistët e rinj, duke shtuar se në të shpjegohet si funksionojnë bankat dhe kompanitë off shore.