Pse po sulmohet Erion Veliaj me kor orkestral?
Shkruar nga Daniel Muçaku-
Erion Veliaj është vënë në shenjëstër sulmi të strukturuar gjatë këtyre ditëve. Natyrisht se ç’ka firmosur apo vulosur Erion Veliaj përgjigjet ai, por nëse analizon me ftohtësi pse fill pas Arben Ahmetajt u devijua goditja ndaj Kryebashkiakut tiranas, arrin në një konkluzion ku ngatërrohen fijet brenda PS me kupolën e Opozitës.
Synimi mbetet gjithnjë ai, shkallmimi i Edi Ramës.
Pra duke goditur dhe zhyer me baltën e akuzave të përditshme pikërisht njeriun numër dy në PS, Veliaj, ata (skenaristët e përbashkët) duan ta lënë të vetëm kryeministrin Rama.
Për hir të së vertetës Edi Rama gjatë viteve të pushtetit ka humbur disa nga “gjeneralët” kryesorë të tij si Sajmir Tahirin, Koço Kokëdhimën, Arben Ahmetajn, Gramoz Ruçin (doli në pension para kohe), Ditmir Bushatin dhe disa “kolonelë” të tjerë.
Dhe të gjithë këta, Rama i ka hedhur ose lënë menjanë, me shpresën se mund ta përballojë me “skuadrën femërore” të Qeverisë apo PS-së. Por skuadra femërore sado mendje prodhuese të ketë prapë se prapë në fushëbetejë nuk krijon forcë.
Pa harruar se Edi Rama nuk la “oponencën” brenda vetes të kryesuar nga një intelektual kalibri si Ben Blushi.
Pra tani “komandanti i përgjithshëm” ka mbetur vetëm me Erion Veliaj pasi të tjerët janë kalibër i lehtë ose janë të “plagosur” që pritet ti marrë SPAK.
Ndaj strategjia e goditjes nga Opozita ështē përfide dhe e kalibruar.
Godasin me të gjitha bateritë zëvëndësuesin e Ramës në PS dhe krijojnë në opinionin publik psikozën se të gjithë në PS një turi kanë dhe, po për dreq, i pret i njëjti fat!
Edi Rama mund të ndihet mirë se po të shikosh një media krejt opozitare serioze thoshte se “mundet që Rama nuk ka firmë të tijën në dosjen e inceneratorëve dhe ka mundësi të jetë treguar miop në këtë histori”. Pra me shumë dinakëri e përjashtonte dhe përkedhelte kryeministrin me idenë se po bën mirë që po i hedh “gjeneralët”.
Dhe loja mbetet që ta lënë vetëm Edi Ramën pa “gjeneralë”, bile dhe pa “ushtarë”.
Ndaj sulmet e orkestruara ndaj Erion Veliajt duket se duan ti heqin “kryegjeneralin”, dhe ta lenë mbretin Edi Rama pa ushtarë.
Kush e luan shahun e di se hapi i mbretit në fushë është i ngadaltë dhe një ushtar “armik” mund të kthehet në mbretereshē kundërshtare dhe e bluan “mbretin” surrelas të mbetur pa “shtabin luftarak”.
Akoma nuk mund të thuhet se vetë Ramës i lezeton duke parë kokat e “ndihmësave” që fluturojnë nëpër monopatet e SPAK dhe në kazanin e Opozitës.
Erion Veliaj mbrohet vetë, përgjigjet vetë për ç’ka bërë, por orkestrimi për ta dëmtuar duket sikur ka gjyle nga PS me topat e Saliut!