Pse Roshi përdori 5 emra? Avokati: Dosja për përdhunim në Itali u rihap
Elvis Roshi është zyrtari i parë i lartë që dënohet për efekt të ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri. Ish-kryebashkiaku i Kavajës, i akuzuar për falsifikim të formularit të dekriminalizimit nuk do të bëjë asnjë ditë burg. Saga e Roshit merr fund me vendimin që Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dha të premten me 5 muaj burg por që ky dënim do të konvertohet në 60 orë punë në komunitet.
Tashmë pritet që të shikohet nëse Roshi do të apelojë vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë. Nëse do e pranojë, Shërbimi i Provës do të zgjedhë punën e detyrueshme prej 60 orësh që do të bëjë Elvis Roshi në komunitet.
Rroshi nuk dha asnjë prononcim për mediat dhe zgjodhi të hynte nga dera e pasme e gjykatës, ndonëse u ndje disi në siklet kur e pa sallën të mbushur plot me gazetarë e njërëz të interesuar për fatin e tij. Më herët Prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg, kërkesë e cila u pranua por iu ul një e treta e dënimit pasi pranoi akuzën dhe përfitoi gjykim të shkurtuar.
Sipas prokurorit Enklid Gjini, Roshi nuk ka deklaruar vendimin e fajësisë në Itali, një vendim për dëbimin nga Italia dhe as 5 emra të ndryshëm të përdorur prej tij. Që në seancën e parë ndaj tij në Gjykatën e Tiranës, Rroshi kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua si nga përfaqësuesi i Prokurorisë, ashtu dhe nga gjyqtarja e çështjes, Oltjona Goxhaj. Elvis Rroshi përpara gjykatës, jo vetëm që pranoi aktet e Prokurorisë, por edhe akuzën.
Dënimet
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit”-thuhet në pretencën e prokurorisë. Prokuroria zbuloi gjithshtu se Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Evropës. Por avokati mbrojtjës i Roshit, Maks Haxhia, i tha gjykatës se Rroshi gjatë këtyre viteve ka qënë një emigrant dhe përdorimin e shumë emrave është bërë vetëm me qëllim për të siguruar kushtet e jetesës dhe për të gjetur vend pune. Haxhia argumentoi para gjykatës se dënimi në Itali për akuzën e përdhunimin është dhënë në mungesë dhe se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për këtë proces. Sipas Haxhisë, ky proces në Itali tashmë është rihapur dhe Roshi po rigjykohet.
Informacion nga EUROPOL
Në 8 qershor 2016 Zyra Kombëtare Europol Tirana informon se Roshi është dënuar në Sesto San Giovvani, në Milano.Nuk rezulton se ai ka vuajtur dënimin për përdhunim. Sipas përgjigjes së dërguar nga autoritetet zvicerane, shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 3 dhjetor 1975 në Kavajë, i biri i Azem dhe i Nasije, gjithashtu njihet me emrat të mëposhtëm:
RROSHI Ervin, 03.12.1975
RROSHI Elvis
HALLULLI Bashkim
RROSHI Enver, 03.12.1975
PROSHI Enver, 03.12.1975
Konkretisht shtetasi Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish,duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
KOHA JONË SONDAZH

