Pse Sali Berisha mbetet i domosdoshëm në krye të PD, ndryshe Selia Blu ndahet në 400 copa!
Në një periudhë kur politika shqiptare po përjeton një nga fazat më të ndërlikuara të saj, çështja e lidershipit në Partinë Demokratike nuk është thjesht një debat i brendshëm partie, por një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në balancat politike të vendit.
Në këto kushte, largimi i Sali Berisha nga drejtimi i Partisë Demokratike nuk do të sillte rinovim, por rrezikon të prodhojë fragmentim të thellë dhe të pakthyeshëm.
Historia e kësaj force politike tregon qartë se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë më e fortë kur ka pasur një figurë qendrore që ka mbajtur të bashkuar rrymat e ndryshme brenda saj. Sot, pavarësisht debateve, Berisha mbetet i vetmi lider që ka aftësinë reale për të mbajtur të bashkuar një strukturë kaq komplekse dhe disa herë të përçarë.
Argumenti kryesor është i thjeshtë: në mungesë të një figure unifikuese, Partia Demokratike rrezikon të shpërbëhet në shumë grupime të vogla, secila me ambicie dhe agjenda të ndryshme, pra e ndarë në 400 copa! Dhe ku sjecili grupim do të turrej dikush të merrte zyrat, të tjerë oborrin e selisë blu si donte Lulzim Basha ta jepte për ndërtim kullash oligarkësh, të tjerë do sulen të marrin vulën, etj. Një skenar i tillë do ta dobësonte jo vetëm opozitën, por edhe vetë funksionimin e demokracisë në vend, duke i dhënë avantazh të pakontestueshëm mazhorancës.
Duke patur përballë një kryeministër që punon për të futur “kalin e Trojës” brenda, selia blu ka nevojë me tepër se kurrë për Berishën.
Përtej simbolikës, Berisha përfaqëson edhe një kapital politik dhe elektoral të ndërtuar ndër vite. Ai ka një bazë të konsoliduar mbështetësish dhe një ndikim të drejtpërdrejtë në strukturat e partisë, elemente që në këtë fazë janë vendimtare për mbijetesën dhe funksionimin e saj si një forcë e organizuar politike.
Kritikët mund të kërkojnë ndryshim, por ndryshimi nuk mund të vijë përmes shpërbërjes. Një tranzicion i nxituar, pa një alternativë të qartë dhe pa një figurë që të gëzojë të njëjtin autoritet, do të krijonte një vakum që do të mbushej menjëherë me përçarje të reja. Në vend që të ringrihej, Partia Demokratike do të hynte në një spirale konfliktesh të brendshme.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Berishës në krye të partisë nuk duhet parë si pengesë, por si një faktor stabiliteti. Ai mund të jetë figura që garanton unitetin në një moment delikat, duke krijuar hapësirë për një proces të menduar mirë të reformimit dhe të përgatitjes së brezit të ri.
Në fund, pyetja nuk është nëse Partia Demokratike ka nevojë për ndryshim – kjo është e padiskutueshme. Pyetja reale është nëse ajo mund ta përballojë këtë ndryshim pa u shpërbërë. Dhe në kushtet aktuale, përgjigjja duket e qartë: pa Sali Berisha, rreziku i copëtimit është real, ndërsa me të, ekziston ende mundësia e ruajtjes së unitetit dhe rindërtimit të saj si një alternativë serioze politike
KOHA JONË SONDAZH

