Pse shkurti u mbyll me bilanc të zi?! Zv.ministrja Rakacolli zbulon arsyet, çfarë thotë për variantet e reja të virusit

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, foli në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Numri dy i shëndetësisë, tregoi edhe arsyet pse, sipas saj, muaji shkurt ishte muaji më i errët i pandemisë në vendin tonë, ku u shënua numri më i lartë i viktimave.

I pyetur nga gazetarja Karapanço për lirimin e mjekut Edvin Prifit, ku u la në fuqi vetëm masa e pezullimit nga detyra për korrupsioni, Rakacolli komentoi se “Fenomeni i korrupsionit ekziston, por është folur shumë. Korrupsioni nuk është një fenomen vetëm në shëndetësi, nuk ndryshon menjëherë, do një proces. Po ta shohësh ndër vite, shihet se ka ardhur në ulje korrupsioni. Është një proces i nisur prej vitesh. Nuk është zhdukur, por është absolutisht në vëmendje. Është një gjë që shkon në përputhje me zhvillimin e gjithë shoqërisë”.

Çfarë na ka sjellë muaji shkurt, muaji më i errët i pandemisë. Pse ky bilanc kaq i zi?

Përderisa ne kishim numrin më të madh të infektimeve këtë muaj, padyshim që mund të kishte dhe fatalitete. Pastaj, kemi ndryshime shumë të mëdha, që besoj do të vërtetohen edhe laboratorikisht, që kemi edhe variantet e reja të koronavirusit, që ka transmetueshmëri më të lartë. Pra, varianti britanik është më infektiv, mund të infektojë 4-5 njerëz, ndryshme nga i pari që mund të infektonte 1-2 njerëz. Gjithashtu, duhet thënë që edhe njerëzit, të lodhur nga pandemia, nuk i respektojnë masat. Janë një grup shkaqesh, që çuan në këtë bilanc. Të mos harrojmë që edhe stina e dimrit e rrit infektueshmërinë.

Kur mund të kemi përgjigje për variantet e reja, që po qarkullojnë zyrtarisht në vendin tonë?
Po kërkojmë me insistim, por akoma nuk kemi një përgjigje. Na thonë që janë në proces. Nuk na jep njeri përgjigje. Në Londër na thonë që është laboratori numër një në botë për këtë variant. Ne mendonim se do i kishim përgjigjet që në javën e fundit të shkurtit, menduam që do i kemi këto dy ditë, por të presim tani. Ne marrim edhe dy herë në ditë në telefon këtë laborator. Nuk varet më asgjë nga ne.

Çfarë dyshimesh keni ju? Për virusin afrikan?
Dyshimet janë për një variant ndryshe të Sars Cvodi-2. Ne dimë thjesht që kemi virus të ndryshëm nga ai klasiku.

SHKARKO APP