Pse sot kërkoi trupa shtesë në Veri? Rama në qershor ishte kundër Republikës së KFOR-it

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll Veriun”, është apeli i kryeministrit Edi Rama për ndërkombëtarët pas sulmit të armatosur të grupit paramilitar serb në Zveçan. Gazetarja i kujtoi shefit të qeverisë se në një postim në Twitter më 19 qershor të këtij viti shprehej kundër asaj çka kërkoi sot, duke thënë ironizuar atë që ai e quante “Republika e KFOR-it” në Veri.

“Nëse situata agravohet duke rikthyer KFOR-in në krye të punës, atëherë lamtumirë për kush di sa kohë dhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veri të Kosovës”, shkruante Rama në platformën online.

Konstatimit për këtë ndryshim 360 gradë në qëndrim mbi situatën në Kosovë, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk përjashtohet mundësia që të arrijmë te “Republika e KFOR-it” që ai ka përmendur më parë.

“Nuk jemi akoma aty por mund të shkojmë dhe aty, patjetër. E shikoni ju se çfarë ndodh. Kjo është diçka që nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë as dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim tek vija historike dhe vija e sjelljes së aktorëve në fushë për të kuptuar si mund të shkojnë gjërat. Kështu që akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim do shkojmë aty. Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike, mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh njëherë e mirë armikun. Në realitetin e gjeopolitikës dhe ballafaqimit të sotëm punon me strategji dhe punohet me mençuri dhe diplomaci. Kardshillëku është shprehje e përgjegjësisë, kështu që mos ma bëni si ata që thonë pes i thu kriminel pse s’i thua terrorist, se ti je vëllai i Vuçiçit.”

SHKARKO APP