Pse SPAK nuk vepron ndaj faktëve skandaloze që dolën në Berat?
Verifikimet e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës kanë nxjerrë në pah manipulime të frikshme që janë bërë me 25 prill. E dhëna më serioze për një proces të parregullt është verifikimi i shenjave të gishtave, një proces që u aplikua për herë të parë në këto zgjedhje. Çdo votues, para votimit jepte kartën e identitetit dhe vendoste gishtat në pajisjen elektronike. Në këtë mënyrë, anëtarëve të komisionit u shfaqej në pajisjen që kontrollonte kartën e identiteti dhe shenjat e gishtërinjve fotoja e personit që po merrte pjesë në proces për të votuar. Mundësi e manipulimit, sipas kompanisë që siguroi pajisjen, ishte zero sepse edhe nëse ishte manipuluar karta e identitetit shenjat e gishtërinjve nuk mund të manipuloheshin. Për këtë pajisje që verifikonte dy të dhëna bazë të identitetit të zgjedhësve u paguan dhjetëra miliona euro. Por, të dhënat që vijnë nga verifikimi zyrtar i bërë në Berat tregojnë se procesi i indentifikimit elektronik ka dështuar dhe janë kryer manipulime. Sipas dokumentit të dorëzuar nga anëtarët e PD në KQZ rezulton se 19 persona në Berat kanë votuar 53 herë, mesatarisht një person ka votuar tre herë.
Ndërsa në Gjirokastër, 14 persona kanë votuar 74 herë, ose e thënë ndryshe një person ka votuar 5 herë. Kjo do të thotë, se një person ka shkuar në qendrën e votimit dhe ka votuar disa herë duke kaluar të gjithë procesin e identifikimit. Dokumenti i votimit disa herë, i faktuar nga ekspertët e KQZ është dorëzuar dje në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) i cili do të vendosë ditën e mërkurë për pavlefshmërinë ose jo të zgjedhjeve në Berat. Nuk dihet se çfarë prove tjetër i duhet KAS për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve, por kur del me dokument se një person ka votuar 1, 2 apo dhe tre herë kjo mjafton për të rrëzuar gjithë procesin zgjedhor në këtë qark. Nëse dikur kutitë mbusheshin nga komisionerët, në 25 prill, një person me kartë identiteti të falsifikuar ose jo, ka mundur të hyjë në qendrat e votimit dhe të votojë sa herë ka dashur. 53 raste kanë kapur në Berat ekspertët që kanë parë sistemin, por derisa pajisjet nuk kanë funksionuar kjo nuk e përjashton mundësinë që të kenë qenë dhe 500 apo 5 mijë raste. LSI nuk mori mandatin në Berat për 77 vota. Kur në 53 raste rezulton se është votuar dy herë, ky fakt mjafton për të mos e njohur si të ligjshëm masakrën elektorale në këtë qark.
E dhëna tjetër që fakton masakrën elektorale në Berat është hapja e 24 kutive dje nga KAS. Në 4 prej tyre, rezultoi se nuk ka pasur vula sigurie, mungonin procesverbale të komisionerëve dhe madje dhe firmat e votuesve apo të dhënat e pajisjeve elektronike. Në kutitë që u hapën për Beratin rezulton se mungonte dhe dokumenti për personat që janë kontrolluar me shenjat e gishtërinjve. Berati ka 227 kuti votimi dhe KAS mori vetëm një kampion prej 24 kutish për të parë se çfarë ka ndodhur më 25 prill. 4 prej këtyre kutive treguan se jo thjesht komisionerët kanë shkelur ligjin, por më 25 prill në disa qendra votimi janë kryer krime elektorale. Nëse do të hapeshin të gjitha kutitë në këtë qark mund të dalë se më 25 prill në Berat ka pasur vetëm vjedhje dhe jo zgjedhje.
Argumenti se komisionerët janë të gjithë partive politike vlen vetëm për të mbyllur sytë para grabitjes së vullnetit të qytetarëve. Edhe nëse ndonjë komsioner i PD dhe LSI ka firmosur mbi këto dokumente paçavure, kjo nuk e zhbën faktin se KAS dhe gjykatat ndodhen para një krimi flagrant. Zgjedhjet javë vjedhur me lekë dhe gjithë format e tjera që përdori pushteti, por dhe me manipulime të frikshme ditën e votimit. Veç këtyre manipulimeve që janë bërë ditën e votimit, dje LSI ka denoncuar dhe një tjetër manipulim që po ndodh këto ditë në zyrat dhe korridoret e KQZ. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se në 4 kutitë e Beratit që ishin me probleme dhe mungonin dokumente, zyrtarë të KQZ po fusin materiale që mungojnë dhe kur vetë komisionerët e PS kanë shkruar se ato nuk gjendeshin në kuti.
Kjo është skandaloze.
Mili Xhani