Pse Taulant Balla e ka fshirë Ilir Metën nga memoria e FRESH?

Nga Daniel Muçaku-

Taulant Balla, shkruan sot një status për përvjetorin e FRESH, një organizatë rinore e PS e cila revolucionarizoi krejt PS e vjetër, duke i dhënë frymë dhe ideale europiane strukturës gjigande të vjetër të Partisë së Punës e konvertuar në Parti Socialiste.

Ministri i Brendshëm, Balla, ka postuar edhe një video për këtë organizatë, ku një dorë djallëzore (mundet jo e Ballës) ka fshirë emrat dhe punën e atyre që e krijuan dhe themeluan FRESH-in me 15 janar 1992. Asokohe ishte kryetar Pandeli Majko (1992-1995) dhe me pas Ilir Meta (1995-2001). Natyrisht dhe Monika Kryemadhi, e cila kontribuoi shumë për FRESH-in.

Por në video, Ilir Meta është fshirë, si dikur Enver Hoxha nuk lejonte asnjë nga “armiqtë e popullit” të dilnin në foto apo në TV, ndonëse kishin dhënë kontribut për Shqipërinë. Edhe Pandeli Majko duket në disa sekonda.

Në postimin e tij Taulant Balla shkruan: “32 vite më parë, me nismën e disa vajzave dhe djemve, studentë pjesëmarrës në lëvizjen studentore të dhjetorit 90, të cilët me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, mori rrugë krijimi i organizatës më madhe politike rinore në Shqipëri/Forumi i Rinor Eurosocialist i Shqipërisë/” – përfundon Balla. Dhe e shoqëron me videon e mëposhtëme.

Kur shkruhet historia, qoftë edhe ajo politike brenda një formacioni politik, nuk është korrekte ta rishkruash historinë sipas interesit të ditës.

Edhe me 15 janar 2005, FRESH bëri festë të madhe, dhe ku “Udhëheqësi i lavdishëm i Partisë dhe Shtetit”, shoku Fatos Nano, kryeministër, e fshiu Ilir Metën në festën e FRESH.

Nuk është puna të mbrosh Ilir Metën, pasi mbrohet vetë, por që të jesh i besuar në publik, e vërteta duhet shkruar, thënë dhe transmetuar siç ka ndodhur.

Sido ta shkruajnë sot historinë e FRESH-it, dy ikona janë të kësaj organizate: Pandeli Majko dhe Ilir Meta.

SHKARKO APP