Pse tensionet Rusi-Ukrainë po ndodhin në këtë moment?
Eksperti i sigurisë Adrian Shtuni, shpjegon motiv kryesor pse agresioni i mundshëm rus ndaj Ukrainës po ndodh pikërisht në këto momente. Për të presidenti Vladimir Putin kërkon që të forcojë pozitat e lëkundura në vend dhe rajon, duke qenë se shumë vende janë duke parë drejt demokracive liberale.
”Ka shumë faktorë se përse këto gjëra po ndodhin tani. Po ta shohim nga aspekti brenda për brenda Rusisë, Putini mundohet të sigurojë një pozitë më të favorshme për vete. Në aspektin rajonal ka pasur disa zhvillime që mund t’i kenë lëkundur besimin e tij dhe atyre që mbështet.
Jam duke folur për Bjellorusinë dhe Kazakistanin. Putini është duke e ndjerë që ka një orientim drejt demokracive liberale, një orientim popullor që nuk është në favorin e asaj që kërkon Putin për të mbajtur sferën e tij të influencës.
BE-ja ka pasur përçarje, Britania u largua. Kemi një ndryshim në politikën e brendshme të Gjermanisë dhe kemi një krizë energjetikë që është e konsiderueshme nëse shohim që burimet e energjisë janë me origjinë nga Rusia”.