Pse Transparency International vlerëson KLSH?
Ndjekja sistematike e zbatimit të rekomandimeve të KLSH ka qenë një shqetësim i përhershëm i Bashkimit Evropian, i shprehur me force edhe në të dy Progres Raportet e fundit për Shqipërinë të viteve 2014 dhe 2015
Nga Elton Libohova
Sipas raportit të organizatës së mirënjohur botërore që lufton rreptë korrupsionin kudo, Transparency International (TI), të publikuar dy ditë më parë “Të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar në Shqipëri janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.” Më tej, Transparency International thekson se PS e ka sulmuar disa herë politikisht KLSH, por kjo e fundit ka vijuar normalisht punën. “Në praktikë kallëzimet ndaj funksionarëve publike janë rritur. KLSH është penguar të kryejë auditime në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, thuhet më tej. Sipas Raportit të TI-së, KLSH ka rritur ndjeshëm numrin e kallëzimeve, nga 94 zyrtarë në 2013 në 159 zyrtarë në 2015.
Pas vlerësimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Europian gjatë periudhës 2013-2014, të Raporteve të Progresit të Bashkimit Evropian gjatë viteve 2012, 2013, 2014 dhe 2015, ky cilësim i organizatës me prestigjioze botërorë që lufton korrupsionin nuk vjen spontan. Në 5 vitet e fundit, KLSH e ka ngritur stekën në luftën kundër korrupsionit. Ka sulmuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike në nivelet më të larta të qeverisjes. Gjate periudhës janar 2012-dhjetor 2015, si institucioni suprem shtetëror i kontrollit të mënyrës se si menaxhohen fondet dhe prona shtetërore, KLSH ka kryer 170 kallëzime penale, ose mbi 3 herë më tepër se katër vitet e mëparshme 2008-2011, për punonjësit që kanë abuzuar me pronën dhe me fondet publike. Ka kallëzuar 527 punonjës deri në nivelin ministër, sekretar i përgjithshëm në ministri, drejtor i përgjithshëm, etj. Demi ekonomik i zbuluar nga institucioni dhe i kërkuar pothuajse 100 për qind për zhdëmtim, në pesë vitet e fundit i kalon te 2 miliardë eurot! Mosveprimi i qeverisë për rastet e zyrtareve të lartë të shtetit (janë me dhjetëra të tillë), të kapur në abuzim me pronën shtetërore dhe të denoncuar prej KLSH pranë Prokurorisë së Shtetit, duke mos i larguar ata nga detyra apo nga shërbimi civil, për fat të keq ka ushqyer përditë anti-kulturën e mosndëshkimit, të vërejtur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, si dhe tani nga Transparency International. Ky mosveprim ka përbërë qartazi dhe një presion ndaj Prokurorëve që kanë hetuar dosjet dhe rastet e sjella nga KLSH.
Ndjekja sistematike e zbatimit të rekomandimeve të KLSH ka qenë një shqetësim i përhershëm i Bashkimit Evropian, i shprehur me force edhe në të dy Progres Raportet e fundit për Shqipërinë të viteve 2014 dhe 2015. Në Progresin Raportin e KE për Shqipërinë të vitit 2015, në faqen 73, fragmenti i pestë (Kapitulli 32: “Kontrolli Financiar”), BE vëren se :”…ndjekja sistematike e rekomandimeve te KLSH ka nevoje te fuqizohet. Raporti vjetor i auditimeve të KLSH drejtuar Parlamentit diskutohet në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, por sërish nuk ka ndjekje sistematike parlamentare”.
Edhe pse gjatë gjithë viteve 2012-2015, KLSH ka gjetur mirëkuptim dhe ka marrë mbështetjen e duhur nga Komisioni i Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, institucioni do të kërkojë nga Kuvendi të ushtrojë ndikimin e tij mbi Qeverinë, duke e bërë të pranishme pranë komisioneve të Kuvendit listën pesëvjeçare tashmë të zyrtarëve të lartë të denoncuar nga KLSH-ja për abuzim e korrupsion, që ende mbahen në detyrat e tyre në administratën shtetërore, madje në disa raste edhe ngrihen në detyrë! Vlerësimi i Transparency International për institucione si KLSH dhe Avokati i Popullit vjen sot pikërisht në kohën më të duhur, kur institucionet e reja që do të ngrihen nga reforma në drejtësi duhet të kenë në fokus edhe bashkëpunimin me institucionet realisht të pavarura në Shqipëri, që e luftojnë me kurajë dhe profesionalizëm korrupsionin.
KOHA JONË SONDAZH

