Pse u anulua granti 28 mln euro i BE-së për Portin e Durrësit? Ambasadorja Hohmann: U ndryshuan kushtet
Nga Shkodra ku ishte për të parë nga afër situatën nga përmbytjet, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, u pyet nga gazetarët pse Bashkimi Europian anuloi grantin 28 milionë euro për Portin e Durrësit. Ambasadorja tha se kjo ndodhi pasi kur ka ndryshime të kushteve nga pala shqiptare, BE-ja tërhiqet.
“Është një përgjigje shumë e thjeshtë, mbetet ajo që thamë disa ditë më parë, sa herë që ka ndryshim të kushteve të investimit, ndryshim të dhënies të granteve të investimit, atëherë kjo anulohet. Kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi në komunikim për të kuptuar se ku mund të jenë investimet për tu bërë”.
Kujtojmë se vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro. Projekti parashikonte rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit, ku përpunohen thuajse të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë. Ndërhyrja ishte e domosdoshme pasi njëra prej tyre është ndërtuar në vitet 1945-1951 dhe tjetra më 1972. Ndërhyrjet e vetme janë bërë më 1994. Projekti i financuar nga BE-ja parashikonte zgjerimin e sipërfaqes së kalatave, si dhe rritjen e thellësisë së projektuar, në mënyrë që të ankorohen edhe anije më të mëdha.
Kur doli projekti për Portin e Durrësit ku po bëhet zhurmë nga opozita dhe nga publiku, e ku parlamenti mbrëmë votoi ligjin për investimet që ka projektuar qeveria, BE u tërhoq.