Pse u arratis Klemend Balili, sipas ministrit Tahiri
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se nuk ka ende një mandat arresti për Klemend Balilin, emër tejet i përfolur në mediat greke ditët e fundit, i akuzuar si baron droge.
Gjatë një interviste për Top Story, Tahiri tha se politika shqiptare po abuzon me këtë çështje.
Ministri deklaroi se prokuroria nuk ka lëshuar urdhrin e arrestimit ndaj tij, duke shtuar se pretendimi se ai është arratisur me ndihmën e policisë është banale.
Pjesë nga intervista:
-Pse policia vonoi disa ditë të bënte një aksion për arrestimin e Balilit, duke i dhënë mundësinë të arratisej?
Saimir Tahiri: Ky është rasti i radhës ku abuzimi është aq i madh sa të dallosh të vërtetën nga ato që trillojnë nga SHQUP-i. Sipas tyre, unë jam kryekrimineli dhe të gjithë ata që arrestohen kanë njohje me mua. Nuk e thonë kurrë që Policia e Shtetit i ka arrestuar.
– Policia i shkoi në intervistë dhe dështoi ta arrestonte, ndërsa ai sot nuk dihet ku është?
Saimir Tahiri: Policia i ka bërë kërkesa të përditshme Prokurorisë dhe intensive për ta arrestuar atë njeri. Megjithatë një njeri nuk mund të arrestohet vetëm pse flet media. Përgjigjen për këtë mund ta japë ai institucion, por Policia i ka kërkuar gjithnjë arrestimin e tij, sepse potenciali për largim ishte i madh.
Nëse më pyesni mua tani, u bënë 10 ditë që kur dolën lajmet e para, ndaj dhe është shumë e vështirë që policia t’i qëndrojë nën vëzhgim atij. Policia po bën detyrën e vet dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet.
Është një prej punëve më të gjera që kemi bërë në të gjithë historikun e luftës sonë antitrafikantë. Jemi tërësisht të angazhuar për ta çuar përpara këtë punë me partnerët dhe i kemi ftuar vet, përfshi DEA-n. Ndihma jonë ndaj tij për t’u arratisur është aq banale, sa është e pabesueshme.
-A ka mandat arresti ndaj tij?
Saimir Tahiri: Deri më tani, sa di unë jo. Nuk mund të arrestohet dikush nëse nuk e thotë prokurori. Pra nuk ka pasur një dështim të policisë për ta arrestuar. Pasi doli në lajme se ai nuk shkonte më në punë, policia bëri verifikimet paraprake për ta mbajtur nën mbikëqyrje.
Për detajet duhet të pyesni Prokurorinë, sepse e udhëheqin ata hetimin. Masat e policisë vazhdojnë për arrestimin e tij. Hetimet për këtë çështje janë për t’u pasur zili, që qeveria e kaluar nuk do ta kishte bërë kurrë. Këta duan të sulmojnë çdo sukses që arrin policia, i është bërë traditë.
– U akuzua edhe një ish-kolegu juaj, Koço Kokëdhima, se kishte pasur lidhje dhe njohje me Balilin?
Saimir Tahiri: Unë kam një vlerësim timin lidhur me këtë çështje, që duhet ta ndaj me ju sa i takon atyre që arrestohen, dhe që të gjithë përpiqen t’u gjejnë teserën e partisë atyre që shkelin ligjin. Unë arrestoj këto që shkel ligjin, pa u interesuar për teserën. Të kujtdo partie në Shqipëri qofshin, kjo nuk do të thotë që partia është e kriminalizuar.
Ne duhet të mësohemi të shkojmë me kriminalizimin deri aty ku mban realisht kjo histori. Njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi personale për atë që bëjnë dhe duhet të mësojmë publikun që të mos fajësohet një parti e gjithë pse kapet një person. Kjo nuk ka të bëjë me vendimmarrjen. Partitë duhen vlerësuar për atë që bëjnë me vendimmarrjen politike. Ne duhet t’ua japim përgjegjësinë atyre që e kanë, e që nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve.
KOHA JONË SONDAZH

