Publikohet për herë të parë dokumenti që vërteton ditëlindjen e saktë të Ismail Qemalit
Nga Evarist Beqiri*
Publikohet për herë të parë dokumenti që vërteton ditëlindjen e saktë të Ismail Qemal Bej Vlorës. Dokumenti që sjellim më poshtë është marr nga regjistri i gjendjes civile në Bruksel, në vitin 1900, dhe për këtë falënderojmë Darling Vlorën, stërnipin e Ismail Qemalit. Data e lindjes së tij sipas këtij dokumenti është 24 janar 1844. Aty pasqyrohen në gjuhën frënge të dhënat personale të Ismail Qemalit dhe të 3 djemëve të tij që e shoqëronin. Ajo që të bën përshtypje është mënyra e regjistrimit të vendlindjes, Vlorë, Shqipëri. Duke pasur parasysh që në këtë periudhë Shqipëria ishte akoma pjesë e Perandorisë Osmane, ky fakt është një tregues i qartë i vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë së tij shqiptare.
Pas arratisjes së bujshme nga Stambolli më 1 maj 1900, Ismail Qemali shkoi në Athinë, Greqi. Më 16 qershor 1900, ai u nis nga Athina për në Romë. Pas tri javësh qëndrimi në Romë, ai shkoi më pas në Gjenevë, Zvicër, dhe prej andej, më 14 korrik 1900, ai arriti në Paris. Në Paris qëndroi disa javë. Nga Parisi ai shkoi në Londër dhe më vonë në Bruksel, ku vendosi të zhvillojë veprimtarinë e tij patriotike dhe të hyjë në rrethet diplomatike europiane, për t’i shfrytëzuar më mirë situatat e krijuara në interes të Shqipërisë.
Ismail Qemali kishte një dëshirë të hershme për të pasur një organ shtypi për të mbrojtur kauzën shqiptare. Për këtë qëllim, ai i shkroi Faik Konicës, i cili botonte prej disa vitesh gazetën “Albania” në Bruksel, për t’u takuar me të dhe për të parë mundësinë që ta merrte ai gazetën “Albania”. Ismail Qemalit i pëlqeu shumë Brukseli dhe vendosi që ta zgjidhte si vendbanimin e tij të ardhshëm. Në fillimin e viteve ‘900, ai punoi së bashku me Faik Konicën për revistën “Albania”. Ai donte të gjallëronte revistën “Albania”, prandaj përfundoi një marrëveshje me Faik Konicën pronarin e saj, dhe mori drejtimin. Marrëdhëniet me Faik Konicën nuk zgjatën shumë. Dhe Ismail Qemalit iu desh të hapte një gazetë tjetër. Ai i vuri asaj emrin “Le Salut de l’Albanie”. Gazeta shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Arsyeja kryesore e nxjerrjes së kësaj gazete ishte mbrojta e kauzës shqiptare.